NBA, Clippers, Westbrook i lumtur me aventurën e re; gati të ndihmojë Leonard e George

Sport

Russell Westbrook zyrtarizoi largimin e tij nga skuadra e Lakers, por jo nga Los Angeles. 34-vjeçar do të luajë në pjesën e mbetur të sezonit me skuadrën tjetër kaliforniane, atë të Clippers, ku do të bashkojë forcat me Kawhi Leonard e Paul George në kërkim të finaleve të mëdha. Në konferencën e parë për shtyp si lojtar i Clippers, Westbrook u shfaq mjaft entuziast, duke u shprehur gjithashtu se i di detyrat e tij në skuadër e do të përpiqet të ndihmojë sa më shumë lojtarët e tjerë të ekipit. Westbrook ribashkohet në këtë mënyrë me një nga miqtë e tij më të mirë, Paul George, me të cilën kanë kaluar disa momente mjaft të mira kur luanin në radhët e Oklahoma City Thunder.

“Për mua, është e rëndësishme të gjejë një mënyrë për të ndihmuar sa më shumë trajnerin dhe gjithë lojtarët e tjerë të skuadrës. Është një aventurë që më emocionon, pasi dua të vazhdoj të luaj për objektiva të rëndëisshëm.”

Westbrook shtoi se është i vetdijshëm rreth sfidave të vështira që e presin, duke nisur që nga përshtatja me lojën e ekipit, por është optimist se mund t’ja dalë të ecë me ritme të shpejta, për të qenë një element i rëndësishëm për trajnerin Tyronn Lue. Westbrook ishte pjesë e marrëveshjes mes 3 skuadrave, që dërgoi D’Angelo Russell tek LA Lakers, ndërkohë që 34-vjeçari u bë pjesë e Utah. Palët ndërprenë menjëherë kontratë në mënyrë konsensuale, duke i lënë rrugë të lirë Westbrook për t’u bashkuar me Clippers. Ai ishte pjesë e Lakers për 2 sezone, ku në total numëroi 130 ndeshje të luajtura, 81 prej të cilave si titullar e duke regjistruar një mesatare prej thuajse 17 pikësh, 7 ribaundesh e po aq asistesh.