NBA, Clippers mposhtin Warriors; Celtics vendosin rekord ndaj Nets

Sport

 

Los Angeles Clippers vazhdojnë ecurinë e tyre pozitive, teksa ia dolën të fitonin një përballje mjaft të vështirë në San Francisco, në transfertën ndaj Golden State Warriors. 130-125 ishte rezultati final i një ndeshjeje mjaft të luftuar, ku ylli dhe lideri i Warriors, Steph Curry dhuroi një performancë të jashtëzakonshme me 41 pikë të shënuara, duke qenë i saktë në plot 9 tentativa nga përtej harkut. Mirëpo kjo nuk mjaftoi për Golden State, që pati kontrollin e lojës deri në nisjen e periodës së katërt. Pikërishtë atëherë, Clippers dhuruan spektakël, duke e fituar me rezultatin e pjesshëm 44-28. James Harden me 26 pikë, Paul George me 24 dhe Norman Powell me 21 bënë diferencën për ekipin e trajnerit Tyronn Lue, që vazhdon të synojë marrjen e kreut të renditjes.

Një tjetër ndeshje me peshë në ‘Konferencën e Perëndimit’ ishte edhe përballja mes Denver Nuggets dhe Sacramento Kings. Këta të fundit ia dolën të fitonin me rezultatin e ngushtë 102-98 ndaj kampionëve në fuqi, të udhëhequr nga De’Aaron Fox, i cili ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 30 pikë, por ishte i rëndësishmë edhe me 8 ribaunde e po aq asiste. Në mungesë të Jamal Murray, tek Nuggets ishte Aaron Gordon që u përpoq të jepte diçka më shumë me 25 pikë e 15 ribaunde. ‘Double-double’ edhe për Domantas Sabonis të Kings me 20 pikë e 13 ribaunde, por lituanezi ishte i saktë edhe me 7 asiste. Vetëm 15 pikë për Nikola Jokic, që nuk u shfaq si zakonisht në këtë përballje.

Në ‘Konferencën e Lindjes’, Boston Celtics shkatërruan 136-86 Brooklyn Nets, në një takim që tashmë ka hyrë në librat e historisë së NBA. Skuadra nga Masaçusets bëhet kështu vetëm e treta në histori, që ia del mbanë të fitojë më shumë se 1 ndeshje, brenda një sezoni, me një diferencë prej të paktën 50 pikë. Payton Pritchard me 28 pikë dhe Derrick Ëhite me 27 pikë ishin ata që shkëlqyen në atë që ishte dhe fitorja e 100 në ligë e trajnerit Joe Mazzulla, me Celtics që kanë konsoliduar pozitat e tyre në krye të renditjes.

Në takimet e tjera, Miami mposhti 109-104 Philadelphia 76ers, ndërsa Dallas Mavericks kaluan pa probleme 116-93 San Antonio Spurs. Fitore e lehtë edhe për Phoenix Suns, 116-100 ndaj Detroit Pistons, teksa Jazz u ndalën 122-138 në shtëpinë e tyre nga Los Angeles Lakers.

Serie A, Inter, Thuram i lumtur me aventurën në Itali; kërkon të qëndrojë gjatë me zikaltërit

Marcus Thuram ishte një nga lëvizjet më të rëndësishme të merkatos së verës për skuadrën e Interit, me sulmuesin francez që kompetloi transferimin e tij në Milano me parametra zero, pasi i përfundoi kontrata me Borussia Monchengladbach. Thuram po rezulton një tjetër goditje e skuadrës së ‘Marotta’-s, teksa deri në këtë pikë të sezonit, Thuram llogarit 11 gola e po aq asiste në të gjitha kompeticionet. Lojtari ka dhënë së fundmi një intervistë të gjatë, ku është rrëfyer për aventurën që po kalon tek zikaltërit. 26-vjeçari e pranoi se po shijon momentin më të mirë të karrierës së tij, pasi falë skuadrës, e sheh veten të aftë të bëj në fushë gjëra që më parë nuk mendonte se mund t’i realizonte. Sa i përket atij që e frymëzon në rrugëtimin për t’u bërë një nga sulmuesit më të rëndësishëm të kontinentit, Thuram zgjedh Karim Benzema. Njësoj si ish-lojtari i Real Madrid, Thuram thotë se vendos gjithmonë skuadrën e tij si prioritet dhe nuk merret me shifrat e tij në aspektin personal. Nga ana taktike, ai thotë se ka mësuar jashtëzakonisht shumë në këto muaj të tij në Itali, ndonëse është i vetdijshëm se mund të japë akoma më shumë se sa kaq. Po përveç fushës së blertë, Thuram se ndihet i lumtur edhe për përditshmërinë e tij. 26-vjeçari falenderon klubin dhe shokët e skuadrës që ia kanë bërë shumë të thjeshtë përshtatjen në Milano, ndonëse Thuram ka patur gjithnjë një lidhje të fortë me Italinë. Ndonëse ai ka pasaportë franceze, ai ka lindur në Parma, pasi asokohe, babai i tij, Lilian, luante pikërisht për klubin e atij qyteti. Sa i përket të ardhmes, Marcus shprehet se nuk mendon asgjë tjetër përveç qëndrimit tek Interit, me synimin për të fituar sa më shumë trofe. Ai e mbylli duke thënë se dëshiron të jetë pjesë e këtij klubi për një kohë të gjatë, pasi mendon se tek zikaltërit, i ka të gjitha kushtet për t’u bërë ndër më të mirët në rolin e tij.