Për të 11-ën ndeshje radhazi, Clippers fitojnë derbin e qytetit të Los Angeles, teksa mposhtën 125-118 rivalët e Lakers. Në një ndeshje me shumë peshë për të dyja skuadrat, trajneri Tyronn Lue mori më të mirën nga lojtarët e tij, me Kawhi Leonard e Norman Powell që ishin shënuesit më të mirë për Clippers, respektivisht me 25 e 27 pikë. Për Lakers shkëlqeu sërish LeBron James, me 33 pikë, 8 ribaunde e 7 asiste, por që nuk e shmangën këtë humbje për ekipin e trajnerit Darvin Ham. Kjo disfatë i jep fund shpresave të Lakers për të kaluar direkt në fazën ‘playoffs’, pasi tashmë do të duhet të bëjnë llogaritë në ‘play-in’.
Ndërkohë Dallas Mavericks mbeten ende në garë për të qenë pjesë e fazës finale të sezonit, teksa mposhtën 123-119 Sacramento Kings. Kyrie Irving ishte ai që bëri liderin për teksanët me 31 pikë, 19 prej të cilave në periodën e katërt. 29 pikë, 10 ribaunde e 6 asiste për Luka Doncic, që po ashtu bëri më të mirën e tij në 38 minuta që qëndroi në parket.
Fitore me peshë për New Orleans Pelicans, që kaluan 138-131, vetëm pak kohës shtesë, Memphis Grizzlies. Pelicans kishin në fakt një avantazh prej 6 pikësh kur kishin mbetur edhe 11 sekonda nga fundi i kohës së rregullt, por dy gabime të rënda të lojtarëve të trajenrit Willy Green, për pak i kushtuan fitoren skuadrës. Plot 3 lojtarë të New Orleans shënuan 30 pikë ose më shumë. Herbert Jones ishte më i miri për ta në këtë aspekt me 35 pikë, kurse CJ McCollum, veç 31 pikëve, dha kontributin e tij me 10 ribaunde e 6 asiste. Ndërsa tek Grizzlies mund të krenohen me Jaren Jackson Jr, i cili ishte shënuesi më i mirë i takimit me 40 pikë.
Në sfidat e tjera, Milwaukee Bucks triumfuan 105-92 Chicago Bulls, ndonëse luanin pa yllin e tyre, Giannis Antetokounmpo. Ndërsa ata të Boston Celtics kaluan mes vështirësive Toronto Raptors, duke i mposhtur me rezultatin e ngushtë 105-92. Atlanta Hawks kaluan pa shumë telashe Washington Wizards, 134-116, kurse Brooklyn Nets siguruan tjetër triumf, pasi mundën 123-108 Detroit Pistons.