NBA, Clippers i gëzohen rikthimit të George; Giannis mposht Embiid ndërsa Doncic shkatërron Lakers

Sport

Giannis Antetokounmpo dhe Joel Embiid kanë dhuruar spektakël deri në sekondën e fundit në përplasjen mes Milwaukee Bucks dhe Philadelphia 76ers.

Kampionët në fuqi të Bucks ia dolën të dilnin triumfues 118-116, falë performancave të shkëlqyera të yjeve të ekipit të trajnerit Budenholzer, të udhëhequr nga Giannis. ‘The Greek Freek’ regjistroi 40 pikë, 14 ribaunde dhe 6 asiste, ndërsa Jrue Holiday ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’, me 18 pikë, 8 ribaunde e 10 asiste. Ndeshje të mirë bëri dhe Khris Middleton, me 22 pikë, 9 ribaunde e 7 asiste. Bucks morën lojën nën kontroll që nga fillimi dhe Sixers po hasnin vështirësi për të ruajtur ritmin e skuadrës nga Wisconsin. Megjithatë, Philadelphia ia doli të rikuperonte. James Harden realizoi 32 pikë e shërbeu 9 asiste, kurse Embiid u ndal në 29 pikë, 14 ribaunde e 7 asiste. Gjigandi kamerunas ishte protagonist në sekondat e fundit, ku kishte shansin të barazonte rezultatin, por u ndal nga një bllok i shkëlqyer i Giannis. Me këtë fitore, Bucks ngjiten për momentin në vendin e dytë të ‘Konferencës së Lindjes’, ndërkohë që ata të Sixers kanë zbritur në vendin e katërt.

Rikthimi në parket i Paul George ka qenë padyshim një lajm i madh për LA Clippers, që falë ‘PG13’, përmbysën në një ndeshje të madhe 121-115 Utah Jazz. Këta të fundit ishin dominues përgjatë pjesës më të madhe të ndeshjes. Madje Utah kishte siguruar një avantazh prej 18 pikësh që në periodën e parë, me Clippers që realizuan vetëm 14 pikë, shifra më e ulët për ta në këtë sezon gjatë 12 minutave. Por gjithçka do të përmbysej në periodën e katërt, aty ku Paul George, Reggie Jackson apo Covington, u bënë protagonistë me gjuajtjet për 3 pikë. George shënoi 34 pikë, duke bërë të harrohen 33 pikët e liderit të Utah, Donovan Mitchell.

Nga ana tjetër e qytetit të Los Angeles, Lakers vazhdojnë të vuajnë. Në transfertën me Dallas Mavericks, kalifornianët morën një leksion të vërtetë nga Luka Doncic, që udhëhoqi skuadrën e tij drejt një fitoreje 128-110. Takimi nuk pati histori. Mavericks e morën sfidën nën kontroll që në pjesën e parë, kur rezultati shënonte 82-56. Që nga 1959-a, nuk kishte ndodhur asnjëherë që Lakers të pësonin kaq shumë pikë brenda pjesës së parë. Kjo tregon më së miri vështirësitë që po hasin 17 herë kampionët e NBA, të cilët në këtë ndeshje vinin pa LeBron James. Doncic ndërkohë e mbylli me realizimin e një ‘triple-double’-i, me 34 pikë, 12 ribaunde e po aq asiste. Për momentin, Lakers renditen jashtë zonës ‘play-in’ të ‘Konferencës së Perëndimit’, çfarë do t’i veniste të gjitha shpresat për të qenë pjesë e fazës finale të sezonit.

Në sfidat e tjera, Brooklyn Nets, të udhëhequr nga Durant e Irving, mposhtën 130-123 Detroit Pistons, teksa u rikhtyen tek fitorja dhe ata të Chicago Bulls, pasi triumfuan 107-94 në transfertën me Washington Wizards.