Los Angeles Clippers ia kanë dalë mbanë të triumfojnë ndaj një prej kundërshtarëve me të cilët mund të përballen në fazën ‘playoffs’, madje duke luajtur pa Kawhi Leonard në parket. Kalifornianët mposhtën 141-132 Memphis Grizzlies, me Russell Ëestbrook që bëri liderin për skuadrën e tij me 36 pikë e 10 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Robert Covington me 27 pikë, duke qenë i saktë me shtatë gjuajtje për 3 pikë, nga po shtatë tentativa në total. Për Memphis, Ja Morant ishte më i dalluari me 36 pikë, por pa i dhënë drejtimin e duhur kësaj sfide për trajnerin Taylor Jenkins.
Ndërkohë ata të Los Angeles Lakers kanë marrë revanshin ndaj Chicago Bulls, duke triumfuar në shtëpinë e këtyre të fundit me rezultatin 121-110. Anthony Davis bëri diferencën me 38 pikë e 10 ribaunde, teksa LeBron James u ndal në 25 pikë të shënuara, përgjatë 31 minutave që qëndroi në parket. Tek Chicago, më i miri ishte Nikola Vucevic me 29 pikë e 12 ribaunde, ndërsa zhgënjeu LaVine, me vetëm 16 pikë.
Phoenix Suns iu gëzuan rikthimit në parket të Kevin Durant, i cili shënoi 16 pikë në fitoren 107-100 ndaj Minnesota-s. Devin Booker me 29 pikë ishte ai që i dha fitoren skuadrës nga Arizona, ndonëse shënuesi më i mirë i takimit ishte Anthony Edëards i Timberwolves.
Takim interesant ishte përplasja mes Philadelphia 76ers dhe Dallas Mavericks, me këta të fundit që vinin me nevojën e madhe për të fituar. Por gjërat për teksanët nuk kanë shkuar si duhet, pasi Sixers dolën fituesë 116-108, duke gjetur një Joel Embiid në formë të mirë. Kamerunasi shënoi 25 pikë, duke qenë më i miri në këtë aspekt, teksa Luka Doncic dhe Irving shënuan së bashku 47 pikë, por që nuk mjaftuan për të bërë diferencën. Në sfidat e tjera, Milwaukee Bucks triumfuan 149-136 Indiana Pacercs, me Jrue Holiday që shënoi një rekord karriere me 51 pikë, ndërkohë që Giannis Antetokoumpo kompletoi një ‘triple-double’ me 38 pikë, 17 ribaunde e 12 asiste. Oklahoma fitoi në sekondat e fundit 107-106 ndaj Detroit Pistons, kurse Miami Heat morën tjetër disfatë të rëndë, pasi u mposhtën 101-92 nga New York Knicks.