Los Angeles Clippers kanë marrë një fitore të madhe në shtëpinë e Denver Nuggets, 105-102, në një ndeshje që sërish dhuroi emocione të mëdha deri në sekondën e fundit. Kawhi Leonard ishte ai që bëri diferencën në ‘Ball Arena’, në Kolorado, duke e mbyllur takimin me 39 pikë e 5 asiste. Sfida ishte mjaft e ekuilibruar, me Clippers që siguruan fitoren vetëm në çastet e fundit. James Harden e mbylli me 18 pikë e 7 asiste, ndërsa Zubac kompletoi sërish ‘double-double’, me 16 pikë e 12 ribaunde. Nga ana tjetër, për Denver Nuggets, ai që shkëlqeu ishte sërish ylli kryesor i skuadrës, Nikola Jokic. ‘The Joker’ e mbylli me një ‘triple-double’, duke realizuar 26 pikë, 12 ribaunde dhe 10 asiste, ndërsa kanadezi Jamal Murray shënoi 23 pikë. Tani seria është në barazim 1-1 dhe Clippers do të kenë mundësinë të luajnë dy ndeshjet e radhës përpara publikut të tyre në Los Angeles, për të provuar 2 triumfe që do të ishin me shumë peshë.
Fitore në transfertë edhe për Detroit Pistons, që fitojnë një ndeshje të tillë në fazën ‘playoffs’, për herë të parë që nga viti 2008. Të udhëhequr nga Cade Cunningham, Pistons triumfuan 100-94 ndaj New York Knicks në një atmosferë fantastike në ‘Madison Square Garden’, tifozët e së cilës shpresuan deri në fund tek ylli i ekipit të tyre, Jalen Brunson. 37 pikët e shënuara nga ish-lojtari i Dallas Mavericks nuk mjaftuan për të përmbysur takimin, teksa Cunningham e mbylli me 33 pikë e 12 ribaunde. Ndeshje e mirë edhe për gjermanin Dennis Schroder, i cili edhe pse e nisi nga stoli, dha një kontribut të rëndësishëm me 20 pikë. Tani seria do të zhvendoset në Michigan, me Detroit Pistons që do të kenë në 2 takimet e radhës mbështetjen e tifozëve të tyre.