Cleveland Cavaliers kanë marrë fitoren e radhës ndaj Washington Wizards me rezultatin 119-115. Ndonëse ndeshja nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë duke qenë se në Konferencën e Lindjes gjithçka është mbyllur sa i përket skuadrave të kualifikuara për në fazën “play-off”, dueli mes LeBron James dhe John Wall dhuroi spektakël të vërtetë. Në fund, “mbreti” James e mbylli si më i miri i ndeshjes, duke qenë edhe pranë realizimit të një “triple-double” me 33 pikë, 14 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë. Nga ana tjetër, Wall i Wizards e mbylli takimin me 28 pikë, 14 asiste dhe 4 zotërime të topit nën tabelë.
Vendimtare mund të quhet ndeshja mes Minnesota Timberwolves dhe Denver Nuggets, e fituar nga këta të fundit me rezultatin 100-96. Me këtë fitore, Denver barazon pikërisht Minnesotan në renditjen e tabelës në Konferencën e Perëndimit dhe mbetet ende në garë për t’u kualifikuar në fazën finale.