Cleveland Cavaliers kanë arritur të triumfojnë në ndeshjen e parë të serisë ndaj Toronto Raptors. Të udhëhequr si gjithnjë nga LeBron James, Cavaliers fituan vetëm pas kohës shtesë me rezultatin e ngushtë 113-112. James realizoi një “triple-double”, me 26 pikë të shënuara, 13 asiste dhe 11 zotërime të topit nën tabelë, duke qenë absolutisht më i miri në parket. Ai eklipsoi në këtë mënyrë paraqitjen e yllit të Torontos, DeMar DeRozan, që shënoi 22 pikë, ndërsa lituanezi Valanciunas veç 21 pikëve, fitoi edhe po aq duele për topin nën tabelë. Kështu Cleveland ka marrë avantazhin e serisë ndaj Raptors, dhe me atë çfarë skuadrat treguan në ndeshjen e parë, duket se ky duel do të jetë mjaft i luftuar.
Ndërsa në “Konferencën e Perëndimit”, Golden State Warriors nuk diskutojnë asgjë ndaj New Orleans Pelicans, pasi fituan edhe ndeshjen e dytë ndaj tyre me rezultatin 121-116. Kevin Durant realizoi 29 pikë, 7 asiste dhe 6 zotërime të topit nën tabelë. Megjithatë, sytë e publikut ishin tek Stephen Curry. Lideri i kampionëve në fuqi të Warriors bëri në këtë sfidë debutimin e tij në fazën “play-off” për vitin 2018 dhe duket se tashmë e ka lënë pas dëmtimin. 30-vjeçari realizoi 28 pikë dhe fitoi 7 duele për topin nën tabelë dhe u provon të gjithëve se është gati të udhëheqë skuadrën drejt një tjetër finaleje në NBA.