Ashtu siç edhe pritej, përballja mes Cleveland Cavaliers dhe Boston Celtics nuk ka zhgënjyer. Skuadra nga Ohio luante para tifozerisë së saj dhe ia doli të triumfonte me rezultatin e ngushtë 118-114, vetëm pas kohës shtesë. Tek Celtics luanin pa yllin kryesor të ekipit, Jayson Tatum dhe u mbështetën kryesisht tek Jaylen Brown. Finalistët e vitit të shkuar mund të kishin triumfuar brenda kohës së rregullt, por Williams gaboi dy gjuajtje të lira radhazi, kur kishte mbetur më pak se 1 sekondë nga fundi. Në shtesë, Cavaliers morën maksiumin, të udhëhequr nga Donovan Mitchell, i cili e mbylli me 40 pikë e 11 ribaunde. Ndeshje të mirë bënë edhe Evan Mobley me 25 pikë e 17 ribaunde, apo Darius Garland, me 17 pikë e 12 asiste. Ndërsa tek Cetlics, Jaylen Brown u ndal në 32 pikë, 13 ribaunde e 9 asiste, por që vlejnë vetëm për statistikat e yllit të Celtics.
Spekaktël pati edhe në përballjen mes Indiana Pacers e Philadelphia 76ers, që pa këta të fundit fituesë me rezultatin 147-143. Diferencat u bënë vetëm në minutat e fundit të periodës së katërt, me Joel Embiid që ishte shënuesi më i mrië i takimit me 42 pikë, vetëm 2 më shumë se sa talenti i Indianës, Tyrese Haliburton, i cili gjithashtu dha kontributin e tij edhe me 16 asiste. Por paraqitje “për t’u vënë në kornizë” ishte edhe ajo e James Harden. ‘The Beard’ ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 14 pikë, 9 ribaunde e plot 20 asiste.
Denver Nuggets ndërkohë vazhdojnë serinë e fitoreve, duke mposhtur këtë herë 118-113 Toronto Raptors. Jamal Murray me 24 pikë ishte shënuesi më i mirë në parket në këtë përballje, teksa Nikola Jokic u ndal në 17 pikë, 13 ribaunde e 9 asiste.
Fitore me vuajtje për Portland Trail Blazers, që kaluan 110-104 Detroit Pistons, falë një super Damian Lillard, që siguroi një ‘triple-double’ me 31 pikë, 13 ribaunde e 12 asiste. Sacramento Kings triumfuan lehtësisht ndaj New Orleans Pelicans, 123-108, në një takim që nuk pati shumë histori. Në mungestë të De’Aaron Fox, ishte Kevin Huerter që u kujdes për pikët tek Sacramento, duke qenë më i mirë në këtë aspekt me 25 të tilla. Ndërsa Domantas Sabonis vazhdon të luajë në nivelet më të larta, duke siguruar një ‘triple-double’ me 19 pikë, 11 ribaunde e po aq asiste.