NBA, Chicago surprizon Denver; Boston e Phoenix nuk ndalen

Sport

Chicago Bulls kanë bërë surprizën teksa kanë arritur të marrin një fitore të rëndësishme në transfertën ndaj Denver Nuggets. Lojtarët e trajnerit Donovan triumfuan 117-96 në parketin e ekipit nga Kolorado, që aktualisht udhëheq ‘Konferencën e Perëndimit’. Ata të Nuggets e nisin mirë takimin, duke siguruar një avantazh të lehtë deri në fund të pjesës së parë. Me rinisjen e lojës, Chicago ia doli të merrte situatën nën kontroll me një paraqitje shuëm të mirë në periodën e tretë, duke u mbështetur tek 29 pikë e Zach LaVine, apo edhe tek paraqitja e Nikola Vucevic, i cili kompletoi një ‘double-double’ me 25 pikë e 15 ribaunde. Vetëm 11 pikë të shënuara nga ana e Jamal Murray të Denver, i cili nuk ishte në një mbrëmje të mirë, ndërkohë që Jokic u ndal në 18 pikë, 12 ribaunde e 8 asiste.

Ndërkohë Boston Celtics e Phoenix Suns vazhdojnë të bëjnë detyrën, duke fituar ndeshjet e radhës. Celtics kaluan 115-93 Portland Trail Blazers, në një ndeshje që nuk pati histori. Jayson Tatum ishte shënuesi më i mirë në parket me 30 pikë, ndërsa tek Portland, Damian Lillard u ndal në 27 pikë. Kurse ata të Phoenix Suns prisnin debutimin në shtëpi të Kevin Durant, por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi ylli i tyre pësoi një dëmtim të lehtë gjatë stëvitjes. Devin Booker mori në kontroll situatën për ekipin nga Arizona, duke shënuar 44 pikë në fitoren 132-101 ndaj Oklahoma City Thunder.

Fitore të rëndësishme morën ata të Los Angeles Clippers, që mposhtën 108-100 Toronto Raptors. Dyshja Kawhi Leonard e Paul George udhëhoqën kalifornianët, duke shënuar respektivisht 24 e 23 pikë. Moment jo i mirë për Dallas Mavericks, që jo vetëm u mundën nga New Orleans Pelicans 113-106, por mund të kenë humbur për disa ndeshje shërbimet e Luka Doncic. Slloveni pësoi një dëmtim në kofshë, duke mos e mbyllur dot takimin, ndërkohë që 27 pikët e Irving nuk mjaftuan që skuadra teksane të shmangte humbjen. Cleveland Cavaliers triumfuan në transfertë, 104-100 ndaj Miami Heat, ndërkohë që fitore me peshë morën ata të Atlanta Hawks, që kaluan 122-120 Washington Wizards.