NBA: Charlotte fiton sërish, kualifikohen më tej Philadelphia dhe Indiana

Sport

nba

Charlotte Hornets janë duke provuar të gjitha mënyrat për të bërë surprizën në këtë fund sezoni të NBA. Skuadra nga Karolina e Veriut ka regjistruar fitoren e 4 radhazi, pasi mposhtën me rezultatin 137-128 skuadrën e New York Knicks. Koha e rregullt në fakt përfundoi në barazim 117-117, por vendasit e Charlotte ishin më këmbëngulës në fundin e shtesës.

nbs

Trey Burke i New York Knicks ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 42 pikë, ndërsa shërbeu edhe 12 asiste, shifra që shënojne një rekord personal për karrierën e tij. Nga ana tjetër, tek Hornets, vendimtar ishte sërish Kemba Walker që e mbylli takimin me 37 pikë të shënuara.
Në këtë mënyrë, Charlotte vazhdon të mbetet pjesë e luftës për një vend në zonën “play-off” në Konferencen e Lindjes, që tashmë veç Toronto Raptors, Boston Celtics dhe Cleveland Cavaliers, ka njohur edhe 2 skuadrat e radhës që kualifikohen për në fazën finale të basketbollit amerikan. Bëhet fjalë për Indiana Pacers dhe Philadelphia 76ers, me këta të fundit që arritën një fitore të rëndësishme 123-104 ndaj Denver Nuggets.