Eleminimi i Milwaukee Bucks ka bërë që Boston Celtics dhe Philadelphia 76ers të shihen si favoritët kryesorë në ‘Konferencën e Lindjes’. Seria mes këtyre dy skuadrave gjithmonë ka dhuruar spektakël dhe në të njëjën mënyrë ka nisur edhe këtë herë në ‘TD Garden’. Edhe pse luanin pa Joel Embiid, Sixers kanë marrë një fitore me shumë peshë, 119-115, falë një super James Harden, që i kujtoi të gjithëve kohët e vjetra, me 45 pikë të shënuara, teksa ishte i saktë në plot 7 tentativa nga përtej harkut. Loja ishte mjaft e balancuar, me skuadrat që i merrnin avantazhin njëra-tjetrës. Në parket nuk munguan as momentet e tensionit, lidhur me një dëmtim që PJ Tucker i shkaktoi Jayson Tatum. Teksa koha i afrohej fundit, Sixers përfituan nga një gafë e Celtics, me Tyrese Maxey që finalizoi i vetëm në anën tjetër. Ata të Boston u përpoqën të reagonin duke rimarrë avantazhin, mirëpo një gjuajtje për 3 pikë e James Harden, bëri që ‘TD Garden’ të heshtë. Veç Harden, tek Sixers shkëlqeu edhe Maxey me 26 pikë, ndërkohë që tek Celtics, më i miri ishte Jayson Tatum me 39 pikë e 11 ribaunde, ndërsa Jaylen Brown nuk e kaloi kuotën e 23 pikëve.
Në ‘Konferencën e Perëndimit’, Denver Nuggets kanë plotësuar misionin e tyre për të fituar të dyja ndeshjet e para, të luajtura në shtëpinë e tyre, në Kolorado. Nuggets triumfuan 97-87 në takimin e dytë, me një Nikola Jokic që dominoi ndaj rivalëve të Suns. ‘The Joker’ ishte më i miri në parket me 39 pikë, 16 ribaunde e 5 asiste, si edhe me një kontribut të rëndësishëm në fazën mbrojtëse. Jamal Murray këtë herë shënoi vetëm 10 pikë e shërbeu 8 asiste, por ishin Aaron Gordon dhe Caldwell-Pope ata që ndihmuan Jokic me pikët e tyre. Gordon shënoi 16 të tilla, ndërsa KCP 14, me 4 gjuajtje të sakta nga përtej harkut në momentet më të rëndësishme të takimit. Për Suns, Booker shënoi 35 pikë, kurse Durant 24, mirëpo nuk mjaftuan për të ndalur këtë triumf të Nuggets. Tani seria mes tyre zhvendoset në Arizona, ku të besuarit e Monty Williams do të provojnë të barazojnë rezultatin në dy sfidat e ardhshme.