Boston Celtics do të vijojnë të jenë në krye të renditjes së ‘Konferencës së Lindjes’ në mbylljen e vitit 2022. Skuadra nga Masaçusets fitoi një nga ndeshjet më të vështira të këtij sezoni, pasi mposhtën 116-110 Los Angeles Clippers. Edhe pse luhej në ‘TD Garden’, kjo përballje pritej të ishte mjaft e luftuar. Celtics morën një avantazh prej 11 pikësh deri në fundin e pjesës së parë, por Clippers ia dolën të përmbysnin në periodën e tretë. Në 12 minutat e fundit, Jaylen Brown e Jayson Tatum bënë diferencën për Celtics, duke e mbyllur secili më nga 29 pikë. Ndërkohë që kontribut të rëndësishëm në sekondat e fundit dhanë edhe White e Al Horford, me bllokimet që bënë ndaj Paul George e Marcus Morris Sr.
Fitore me peshë kanë siguruar ata të Memphis Grizzlies, që kaluan 119-106 Toronto Raptors. Ja Morant bëri sërish liderin për skuadrën e tij, me 19 pikë e 17 asiste. ‘Double-double’ edhe për Steve Adams, me 14 pikë e 17 ribaunde, ndërkohë që shënuesi më i mirë për ta ishte Dillion Brooks me 25 pikë. Po aq shënoi edhe Siakam i Torontos, por kamerunasi këtë herë nuk e shmangu dot humbjen e ekipit të tij.
Indiana Pacers kanë bërë surprizën ndaj Cleveland Cavaliers, duke i mposhtur këta të fundit me rezultatin 135-126. Takimi nisi më mirë për skuadrën nga Ohio, por në periodën e tretë, ata të Pacers ia dolën të rikuperonin, duke u mbështetur tek Tyrese Haliburton e Buddy Hield. I pari e mbylli si shënuesi më i mirë i sfidës me 29 pikë, ndërsa Hield shënoi 25, duke qenë protagonist edhe me atë që tashmë cilësohet si 3-pikëshi më i shpejtë i historisë.
Charlotte Hornets janë rikthyer tek fitorja, pasi mposhtën 121-113 Oklahoma City Thunder, teksa kanë zhgënjyer ata të Neë York Knicks, që u ndalën nga San Antonio Spurs me rezultatin 122-115. Edhe pse patën dy shënuesit më të mirë të takimit, Julius Randle me 41 pikë e Immanuel Quickley me 36, Knicks morën humbjen e pestë radhazi, duke zbritur në zonën ‘play-in’ të renditjes.