NBA, Celtics, Tatum nuk komenton zërat për Durant; thotë se e pëlqen skuadrën siç është tani

Sport

Një transferim i Kevin Durant tek Boston Celtics duket si një lëvizje gjithmonë e më e mundshme. Skuadra nga Masaçusets është në kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e Brooklyn Nets, në përpjekjet për të finalizuar një marrëveshje dhe ai që flitet se do të sakrifikohet është Jaylen Brown. Kjo do të bënte që Jayson Tatum të merrte akoma më përgjegjësi mbi shpatulla, pasi shihet si fytyra kryesore e Celtics në këtë dekadë. I pyetur nga mediat rreth transferimit të mundshëm të ‘KD’, Tatum është treguar diplomat, duke mos i komentuar këto zëra, pasi sipas tij, është detyra e drejtuesve të skuadrës të marrin vendime të tilla. Tatum e pranoi se është ndjerë mjaft mirë ku ka luajtur me Durant në ‘Lojërat Olimpike’ me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e përshkruar 34-vjeçarin si një nga lojtarët më të mirë në ligë për momentin. Gjithësesi, vetë Tatum është i lumtur me organikën aktuale të ekipit të Celtics. Ai u shpreh se i njeh mjaft mirë të gjithë lojtarët që janë pjesë e Bostonit aktualisht, ndërkohë që ka lavdëruar edhe dy afrimet e reja të merkatos, Malcolm Brogdon dhe Danilo Gallinari.

“Durant është një lojtar i madh dhe të gjithë e njohim. Nuk mendoj se më takon mua të them nëse ai duhet të transferohet tek Cetlics apo jo. Kjo është një detyrë që i përket menaxherit të skuadrës. Unë jam i lumtur me djemtë që luajnë në skuadrën tonë dhe jemi gati për një sezon tjetër të madh.”

Tatum ishte një nga yjet që udhëhoqi Celtics drejt ‘Finaleve’ të mëdha në NBA gjatë sezonit që lamë pas. Në përpjekjen për të siguruar unazën e tij të parë në karrierë, Tatum u përpoq të bënte liderin në momentet më të rëndësishme të serisë, por pa ia dalë mbanë të mposhtë Steph Curry-n dhe Golden State Warriors.