Boston Celtics kanë dhuruar një tjetër performancë të madhe në parketin e kundërshtarëve të Miami Heat, duke triufmuar 93-80. Me ‘FTX Arena’ që ishte mbushur me tifozët vendas dhe me një pjesë të parë shumë të mirë nga ana e lojtarëve të trajnerit Spoelstra, u duk sikur ata të Miami-t do të respektonin pritshmëritë për të marrë një fitore.
Mirëpo gjërat nuk shkuan aspak ashtu siç ishte menduar. Në pjesën e dytë, Celtics shpërthyen, duke dominuar jo vetëm në fazën sulmuese, por edhe në mbrojtje. Perioda e tretë e takimit u mbyll me rezultatin e pjesshëm 32-16, çfarë i dha pozita mjaft komode trajnerit Udoka dhe lojtarëve të tij. Jaylen Brown dhe Jayson Tatum, të cilët gjatë pjesës së parë kishin qenë në hije, morën nën kontroll lojën. Brown e mbylli si shënuesi më i mirë i ndeshjes me 25 pikë, duke qenë i saktë edhe në 5 tentativa për 3 pikë. Tatum ndërkohë ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i, me 22 pikë, 12 ribaunde e 9 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Al Horford me 16 pikë, 7 ribaunde e 5 asiste, ndërkohë që Derrick White, i cili e nisi takimin nga stoli, e mbylli me 14 pikë.
Tek Miami, i vetmi që mund të vlerësohet me një notë pozitive është Bam Adebayo, që shënoi 18 pikë dhe rikuperoi 10 topa nën tabelë. Zhgënjeu Jimmy Butler me vetëm 13 pikë të shënuara, ku ishte i saktë në vetëm 4 nga 18 tentativat e bëra në total. Ndërsa nuk dha asnjë pozitive edhe veterani Kyle Lowry, që e mbylli me 0 pikë e 0 asiste. Me këtë fitore, Celtics shkojnë në shtëpinë e tyre në ‘TD Garden’ me një avantazh të çmuar. Në takimin e gjashtë, ata do të kenë mundësinë që përballë tifozëve të tyre, të zyrtarizojnë rikthimin në ‘Finalet’ e mëdha, gjithmonë nëse Miami nuk ndryshon diçka në lojën e treguar deri më tani.