NBA, Celtics, Payton Pritchard vlerësohet si ‘lojtari i gjashtë më i mirë’ për këtë sezon

Sport

Boston Celtics kanë nisur si duhet fazën ‘playoffs’ të këtij sezoni, në përpjekjen për të mbrojtur titullin kampion në NBA. Trajneri Jor Mazulla po merr më të mirën e lojtarëve të tij, duke përfshirë këtu edhe ata që bëjnë diferencën nga stoli. I tillë është rasti i Payton Pritchard, i cili 2 vite më parë listohej ndër të fundit në rotacionin e Celtics, ndërsa sot, shihet si element kyç për lëvizjet e trajnerit të Bostonit. 27-vjeçari është shpërblyer për paraqitjet e bëra gjatë këtij sezoni, duke marrë edhe vlerësimin si ‘lojtari i gjashtë më i mirë’ për këtë edicion të NBA. Pritchard ka mposhtur në garën për këtë çmim emra të tjerë të rëndësishëm si Malik Beasley të Detroit Pistons apo Ty Jerome të Cleveland Cavaliers. Kështu, shtatshkurtri i Celtics pason Naz Reid të Minnesota Timberwolves, i cili mori këtë vlerësim në sezonin e shkuar. Trofeu që do t’i dorëzohet 27-vjeçarit, mban emrin e John Havlicek, lojtarit ‘të gjashtë’ historik të Boston Celtics dhe emri i fundit që e kishte fituar me fanellën e skuadrës nga Masaçusets, ishte Malcolm Brogdon, dy sezone më parë. Të gjithë ata që janë pjesë e botës së NBA, përfshirë edhe tifozët, e kanë cilësuar të merituar këtë çmim për Pritchard, i cili ka luajtur vetëm 3 ndeshje gjatë sezonit si titullar, çfarë në një farë mënyrë e konfirmon si një ‘lojtar të gjashtë’. Pritchard vijon të japë një kontribut me peshë për Celtics, teksa përgjatë këtij sezoni, djaloshi nga Oregoni regjistron një mesatare prej 14,3 pikësh, 3,5 asistesh dhe thuajse 4 ribaundesh. Ai ka dalluar gjithnjë për saktësinë në gjuajtjen për 3 pikë, teksa në këtë sezon, ka qenë i saktë në më shumë se 40% të tentativave të tij nga përtej harkut. Ai u përzgjodh nga Bostoni në ‘Draft’-in e vitit 2020 e prej atëherë, ka qëndruar besnik i fanellës së Celtics.