NBA, Celtics mposhtin në shtesë Warriors; Philadelphia vijon serinë e fitoreve

Sport

Boston Celtics kanë arritur të triumfojnë përballjen që i përngjante finaleve të sezonit të shkuar, teksa mposhtën përpara publikut të tyre në ‘TD Garden’, Golden State Warriors. Për të finalizuar takimin me rezultatin 121-118, u desh të luhej koha shtesë, me Celtics që u mbështetën tek paraqitja e shkëlqyer e Jayson Tatum. Ylli kryesor i Boston shënoi 34 pikë, por ishte i rëndësishëm edhe me plot 19 ribaunde e 6 asiste. Tek Warriors, Stephen Curry ishte shënuesi më i mirë me 29 pikë, ndërkohë që Klay Thompson e Jordan Poole realizuan secili nga 24 pikë, por që nuk e shmangën këtë humbje të kampionëve në fuqi.

Philadelphia 76ers vijojnë rrugëtimin drejt vendeve të kreut në ‘Konferencën e Lindjes’, pasi siguruan fitoren e 29 për këtë sezon, duke mposhtur 105-95 Portland Trail Blazers. Ata të Sixers e nisin me një marsh më shumë këtë përballje, duke i dhënë vetes një avantazh prej 12 pikësh që në periodën e parë. Deri në fund të periodës së dytë, ky avantazh do të shkonte deri në 23 pikë, çfarë praktikisht e mbylli diskutimin e përballjes. Sixers tashmë renditen në vendin e dytë të renditjes, duke përfituar edhe nga humbja e radhës së Brooklyn Nets. Njujorkezët po e vuajnë çdo ditë e më shumë mungesën e Kevin Durant, teksa u mposhtën 117-112 nga Phoenix Suns. Nets nuk ia dolën të kishin asnjëherë një avantazh komod përgjatë kësaj përballjeje, ndonëse kishin shënuesin më të mirë të ndeshjes me 30 pikë, Kyrie Irving. Tek Suns ndërkohë shkëlqyern Mikkal Bridges me 28 pikë e 9 asiste, si edhe Deandre Ayton me 24 pikë e 14 ribaunde.

Pati emocione në përballjen mes Toronto Raptors e Minnesota Timberwolves, që pa fitues këta të fundit me rezultatin e ngushtë 128-126. Ky triumf për ekipin e trajnerit Finch u sigurua vetëm falë përmbysjes në periodën e katërt, me Kyle Anderson dhe Anthony Edwards që rezultuan vendimtarë në sekondat e fundit.  Ndërsa Chicago Bulls kanë bërë detyrën ndaj Detroit Pistons, duke fituar 126-108 në takimin special, të luajtur në ‘Accor Arena’, në Paris të Francës. Zach LaVine me 30 pikë e DeMar DeRozan me 26 ishin ata që vulosën fatin e kësaj përballjeje.