Seria mes Boston Celtics dhe Milëaukee Bucks do të jetë edhe më e luftuar se sa ishte menduar. Skuadra nga Masaçusets i është përgjigjur kampionëve në fuqi të NBA, duke triumfuar 116-108 në takimin e katërt mes tyre, për më tepër në parketin e ‘Fiserv Forum’.
Ekipi i trajnerit Udoka ishte në dijeni se kjo ishte një përballje që duhej fituar me çdo kusht nëse kërkojnë të vazhdojnë më tej aventurën në ‘PlayOffs’. Jayson Tatum dhe Al Horford ishin më të mirët për Celtics sa i përket shënimit të pikëve. Secili shënoi nga 30 pikë, teksa Marcus Smart dhe Jaylen Brown realizuan nga 18, por ishin shumë të rëndësishëm në fazën mbrojtëse për ekipin e tyre.
Takimi pa rezultatin të ndryshonte në favor të skuadrave në disa raste. Diferencat u bënë vetëm në periodën e katërt, aty ku Tatum iu përgjigj të gjitha kritikave të bëra ndaj tij sa i përket kësaj serie. 12 minutat e fundit të lojës u mbyllën me rezultatin e pjesshëm 43-28 në favor të Celtics, duke dëshmuar edhe se lojtarët e Boston, ndryshe nga ajo që thuhej nëpër media, po vuante lodhjen fizike.
Sa i përket Bucks, si gjithnjë ai që kërkoi të bënte ndryshimin ishte Giannis Antetokounmpo. ‘The Greek Freak’ e mbylli takimin me 34 pikë, 18 topa nën tabelë dhe 5 asiste. Kështu seria barazohet në 2-2 dhe tani zhvendoset sërish në Boston, ku në ‘TD Garden’ do të luhet ndeshja e pestë mes Celtics dhe Bucks.
Ndeshje mjaft emocionuese rezultoi të ishte ajo mes Golden State Warriors dhe Memphis Grizzlies. Njësoj si në serinë mes Bucks e Celtics, edhe këtu Grizzlies vinin me nevojën e jashtëzakonshme për të fituar takimin e katërt, që luhej në shtëpinë e Golden State. Por vendasit ia dolën të rezistonin deri në sekondat e fundit, duke marrë një fitore me rezultatin e ngushtë 101-98, çfarë i afron me finalet e ‘Konferencës së Perëndimit’, pasi tani seria flet për ta, 3-1.
Grizzlies luanin në këtë ndeshje pa yllin e tyre, Ja Morant, që mungonte për arsye dëmtimi. Por pavarësisht kësaj, ata të Memphis u shfaqën në një nivel mjaft të lartë, duke provuar se ishin përgatitur si duhet për këtë përballje. Grizzlies kishin avantazhin deri në periodën e katërt. Në ato momente, Warriors vunë në punë eksperiencën e tyre dhe ia dolën të përmbysnin çdo gjë. Steph Curry ishte lojtari i ndeshjes për skuadrën nga San Francisco, me 32 pikë, 5 ribaunde dhe 8 asiste, duke bërë liderin në një ndeshje që i ka kthyer Warriors sërish si favoritë të mëdhenj të këtij sezoni të NBA.