NBA, Celtics fitojnë sërish dhe komplikojnë serinë ndaj Miami Heat

Sport

Pasi arritën të triumfonin në ndeshjen e katërt të serisë ndaj Miami Heat, Boston Celtics kanë shtuar edhe më tej presionin tek skuadra nga Florida, pasi fitojnë edhe në sfidën e pestë. Përpara tifozëve të tyre në ‘TD Garden’, Celtics dominuan 110-97 ndaj ekipit të trajnerit Spoelstra, që luante këtë herë pa Gabe Vincent. Me entuziasmin që kishte përfshirë të gjithë arenën, Tatum e Brown bënë më të mirën për të udhëhequr skuadrën, duke siguruar një avantazh prej plot 15 pikësh që në periodën e parë. Ky avantazh do të thellohej edhe më tej deri në fundin e periodës së tretë, ndërkohë që një reagim i Miami-t erdhi vetëm në 12 minutat e fundit, por që ishte shumë vonë për të shmangur këtë humbje. Nga 21 pikë të shënuara për Brown e Tatum, me këtë të fundit që ishte i rëndësishëm edhe me 8 ribaunde e 11 asiste. Gjithësesi shënuesi më i mirë për skuadrën nga Masaçusets ishte Derrick White me 24 pikë, teksa ishte i saktë në plot 6 gjuajtje nga përtej harkut. Vetëm 1 pikë më pak për Marcus Smart, i cili bëri një ndeshje të mirë edhe në fazën mbrojtëse, ndërsa për Miami-n, shënuesi më i mirë ishte Duncan Robinson me 18 pikë, shumë pak për t’iu përgjigjur furisë së Celtics. Vetëm 16 pikë për Bam Adebayo e 14 për Jimmy Butler, duke komplikuar situatën për ekipin e tyre. Miami vazhdon të udhëheqë 3-2 serinë e finales së ‘Konferencës së Lindjes’ dhe ndeshjen e radhës e luajnë në shtëpinë e tyre, në Florida. Heat do të përpiqen t’i japin fund diskutimin në këtë takim, ndonëse ata të Celtics vijnë tashmë me moral më të mirë, duke shpresuar që për herë të parë në historinë e NBA, të shkruajnë historinë duke përmbysur një disavantazh 3-0.