NBA, Celtics fitojnë mes vuajtjeve ndaj Indianës; Lakers mposhtin Warriors, por humbasin Russell

Sport

Boston Celtics e kanë rinisur sezonin e rregullt ashtu siç u ndalën përpara ‘All Star Weekend’. Kryesuesit e ‘Konferencës së Lindjes’ vuajtën jo pak ndaj Indiana Pacers, por ia dolën të triumfonin me rezultatin 142-138, vetëm pas kohës shtesë. Jayson Tatum kompletoi një ‘double-double’ me 31 pikë e 12 ribaunde, teksa shënoi edhe koshin që vulosi fatin e kësaj sfide. ‘Double-double’ edhe për Jaylen Brown, me 30 pikë e 11 ribaunde, ndërkohë që për Indianën shkëlqeu Miles Turner, me 40 pikë e 10 ribaunde. Shifra rekord në aspektin personal për Turner, por që nuk e shmangën dot humbjen e Pacercs.

Ndeshje me shumë peshë ishte edhe ajo mes Golden State Warriors dhe Los Angeles Lakers, e transmetuar edhe në platformën ‘Tring’. Lakers ia dolën të respektonin pritshmëritë përpara tifozëve të tyre, duke triumfuar me rezultatin 124-111. Malik Beasley ishte shënuesi më i mirë i sfidës, me 25 pikë, duke eklipsuar 22 pikët e Klay Thompson. Ylli i Warriors shpërdoroi shumë mundësi për 3 pikë, duke kushtëzuar skuadrën në shfrytëzimin e aksioneve sulmuese. Pavarësisht fitores, Lakers nuk dalin shumë të lumtur nga kjo përballje. D’Angelo Russell, i afruar vetëm në ditën e fundit të merkatos së shkurtit, pësoi një dëmtim, duke mos luajtur më shumë se 9 minuta.

Philadelphia 76ers triumfuan ndërkohë ndaj Memphis Grizzlies, 110-105, në një ndeshje që pa një formë shumë të mirë të James Harden. ‘The Beard’ ishte shënuesi më i mirë i takimit, me 32 pikë, por ndeshje për t’u vënë në kornizë bëri Joel Embiid. Gjigandi kamerunar shënoi 27 pikë, fitoi 19 duele për topin nën tabelë, asistoi 6 herë shokët e skuadrës dhe po ashtu kompletoi 6 blloqe, një prej të cilëve ndaj yllit të Memphis, Ja Morant. Në takimet e tjera, Denver Nuggets u udhëhoqën nga një tjetër ‘triple-double’ i Nikola Jokic, për të mposhtur 115-109 Cleveland Cavaliers. Dallas e pati shumë të lehtë ndaj San Antonio Spurs, duke fituar me rezultatin e thellë 142-116m ndërkohë që Sacramento triumfoi në shtëpi 133-116, ndaj Portland Trail Blazers.