NBA, Cavaliers triumfojnë ndaj Lakers; Doncic fiton duelin me Jokic

Sport

Cleveland Cavaliers kanë gjetur liderin e skuadrës së tyre me afrimin e Donovan Mitchell. Ish-lojtari i Utah Jazz vazhdon të shkëlqejë me fanellën e ekipit nga Ohio, teksa i udhëhoqi në një fitore të madhe ndaj LA Lakers, 116-102. Mitchell rezultoi të ishte më i miri në parket, me 43 pikë, 6 ribaunde e 5 asiste. Ndeshje të mirë për Cavaliers bënë edhe Jarrett Allen apo Darius Garland, secili me ‘double-double’, me më shumë se 20 pikë të shënuara. Tek Lakers, shënuesi më i mirë ishte LeBron James, me 21 pikë, por ia doli të ishte dominues edhe në rikuperimin e topit nën tabelë me 17 ribaunde. Zhgënjeu Russell Westbrook, me vetëm 16 pikë, ndërkohë që Anthony Davis nuk luajti më shumë se 8 minuta, për shkak të disa problemeve shëndetsore. Dalja nga loja e ‘AD’ i bëri gjërat shumë të thjeshta për Cavaliers, që morën kontrollin e takimit me një avantazh prej 8 pikësh deri në fundin e pjesës së parë. Kështu, ndalet seria prej 3 fitoresh radhazi e Lakers, ndërkohë që Cavaliers ruajnë vendin e tretë në ‘Konferencën e Lindjes’.

I ka respektuar të gjitha pritshmëritë përballja mes Denver Nuggeets dhe Dallas Mavericks. Dueli mes Nikola Jokic dhe Luka Doncic u fitua nga ky i fundit, i cili udhëhoqi skuadrën teksane në një triumf 116-115. Loja ishte mjaft e balancuar dhe të dyja ekipet patën shanset e tyre për të mbyllur me fitore. Doncic kompletoi një ‘triple-double’, me 22 pikë, 10 ribaunde e 12 asiste. Slloveni nuk bëri as edhe një gjuajtje në periodën e katërt, duke u përpjekur të shpërndajë lojën për shokët e skuadrës. Kjo rezultoi një lëvizje shumë e rëndësishme për Mavericks, që pa shpërthimin e Tim Hardaway Jr. me 29 pikë. Ndërsa Dorian Finney-Smith ishte ai që shënoi 3-pikëshin vendimtar në fundin e takimit, çfarë i dha Dallasit fitoren e 13 për këtë sezon, duke u ngjitur në vendin e shtatë.

Zhgënjejnë ndërkohë ata të Miami Heat, që u mposhtën 116-96 nga Detroit Pistons. Miami vuajti shumë mungesën e Jimmy Butler dhe pavarësisht 34 pikëve të Tyler Herro, dolën të humbur nga ‘FTX Arena’.