Brooklyn Nets dhe Cleveland Cavaliers kanë dhuruar spektakël në përballjen e dytë të tyre brenda pak ditësh, me skuadrën nga Ohio që sërish ia doli të triumfonte. Këtë herë, Cavaliers vuajtën jo pak në ‘Barclays Center’, me koshin e fitores që u shënua vetëm në sekondën e fundit, për rezultatin final 116-114. Në takimin e transmetuar në ‘Tring’, loja dukej mjaft e balancuar, me skuadrat që merrnin herë pas here avantazhin. Mikkal Bridges udhëhoqi Nets me 32 pikë të shënuara, ndërsa Donovan Mitchell bëri edhe njëherë liderin për Cavaliers, me 31 pikë. Ndeshje të mirë bëri edhe Evan Mobley me 26 pikë e 16 ribaunde, kurse Spencer Dinwiddie u ndal në 25 pikë e 12 asiste. Në momentet e fundit, ishte Mitchell që mund të barazonte lojën me një gjuajtje të lirë, por ylli i Cleveland gaboi. Skuadra e tij mori gjithësesi ribaundin dhe në Isaac Okoro ia doli të shënonte për 3 pikë, duke i dhënë fitoren ekipit të trajnerit Bickerstaff.
Ndërkohë në ‘Konferencën e Perëndimit’, përballja e rëndësishme ishte ajo mes Los Angeles Clippers dhe Oklahoma City Thunder, me këta të fundit që këtë herë nuk e ndalën dot furinë e Kawhi Leonard. Clippers triumfuan me rezultatin e thellë 127-105, falë një periode të katërt të interpretuar në mënyrë perfekte nga ana e lojtarëve të trajnerit Tyronn Lue. Kawhi ishte thuajse i pandalshëm, me vetëm dy gjuajtje të gabuara nga 15 tentativa në total, duke e mbyllur lojën si shënuesi më i mirë në parket me 32 pikë. Vetëm 30 pikë këtë herë për liderin e Oklahomas, Shai Gilgeous-Alexander, ndërsa shkëlqeu edhe Russel Westbrook, me 24 pikë e 7 asiste.
Në takimet e tjera, New Orleans Pelicans mposhtën pa shumë telashe Charlotte Hornets, me rezultatin 115-96. Brandon Ingram bëri liderin për skuadrën e tij, duke kompletuar një ‘triple-double’, me 30 pikë, 11 ribaunde e 10 asiste. 20 pikë për CJ McCollum, po aq sa edhe nga Valanciunas, me këtë të fundit që dha kontributin e tij edhe me 19 ribaunde. Humbje surprizë ndërkohë për New York Knicks, që u mposhtën 111-106 nga Orlando Magic, ndonëse ata të Knicks patën 3 shënuesit më të mirë të sfidës.