Boston Celtics vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt raundit tjetër të fazës ‘playoffs’, teksa fituan edhe sfidën e dytë të serisë ndaj Atlanta Hawks, me rezultatin 119-106. Ekipi i trajnerit Joe Mazzulla mori gjithçka nën kontroll brenda pjesës së parë, duke siguruar një avantazh prej 12 pikësh. Jayson Tatum kompletoi një ‘double-double’ me 29 pikë e 10 ribaunde, ndërkohë që ndeshje të mirë bëri sërish Derrick White, me 26 pikë të shënuara. Tek Atlanta, Dejounte Murray shënoi 29 pikë, kurse Trae Young 24, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen e dytë në po kaq ndeshje në ‘TD Garden’.
Cleveland Cavaliers kanë barazuar në 1-1 serinë ndaj New York Knicks, duke u marrë revanshin këtyre të fundit me triumfin në ndeshjen e dytë, me rezultatin 107-90. Skuadra nga Ohio vinte me vetëdijen e plotë se duhet ta fitonte me çdo kusht sfidën e dytë të serisë në shtëpinë e tyre dhe ia dolëm të bënin diferencën në periodën e dytë me rezultatin e pjesshëm 34-17. Darius Garland me 32 pikë dhe Caris LeVert me 24, ishin shënuesit më të mirë në parket, duke qenë vendimtarë edhe në këtë triumf të Cavaliers. Tek Knicks gjithësesi nuk shqetësohen, pasi do të luajnë dy ndeshjet e radhës në ‘Madison Square Garden’.
Edhe ata të Phoenix Suns kanë arritur të barazojnë serinë ndaj Los Angeles Clippers, duke fituar ndeshjen e dytë të luajtur në Arizona, me rezultatin 123-109. Devin Booker ishte ai që bëri diferencën me plot 38 pikë të shënuara, duke eklipsuar 31 pikët e Kaëhi Leonard. Kevin Durant e mbylli ndeshjen me 25 pikë, ndërkohë që në kampin e Clippers, tjetër paraqitje të mirë bëri edhe Russell Westbrook, me 28 pikë, por që nuk vlejtën më shumë se sa për statistikat personale të lojtarit. Tani Clippers do të kenë mundësinë të rimarrin avantazhin, pasi dy ndeshjet e radhës, do t’i luajnë përpara tifozëve të tyre, në Los Angeles.