Chicago Bulls vijojnë të bëjnë paraqitje të shkëlqyera në këtë fund të sezonit të rregullt, në përpjekjen e tyre për të qenë pjesë e fazës ‘playoffs’. Të udhëhequr nga DeMar DeRozan, Bulls mposhtën 109-105 pas kohës shtesë një nga skuadrat më në formë të momentit, Philadelphia 76ers. Këta të fundit, që luanin përpara tifozëve të tyre, patën mundësinë për ta fituar takimin në dy raste, por nuk ia dolën mbanë. DeRozan u ndal në 25 pikë e 8 ribaunde, ndërsa shënuesi më i mirë për Chicago-n ishte LaVine me 26 pikë. ‘Double-double’ për Vucevic me 21 pikë e 12 ribaunde, ndërkohë që tek Philadelphia shkëlqeu Embiid me 37 pikë e 16 ribaunde, mirëpo në fundin e lojës, kamerunasi plotësoi numrin e faullave, duke braktisur skuadrën në momentet më vendimtare. Për Chicago-n, kjo ishte fitorja e tretë radhazi, çfarë konsolidon pozitat e tyre në vendin e 10 të renditjes.
Takim interesant rezultoi edhe përplasja në ‘Madison Square Garden’ mes New York Knicks e Minnesota Timberwolves, me këta të fundit që triumfuan 140-134. Julius Randle bëri një ndeshje të jashtëzakonshme për Knicks, me një rekord karriere prej 57 pikësh, por që nuk mjaftuan për skuadrën e trajnerit Tom Thibodeau. Fati i sfidës do të vulosej vetëm në periodën e katërt, ku për Minnesota-n, ai që bëri diferencën ishte Taurean Prince me 35 pikë, teksa në gjuajtjet për 3 pikë, ishte i saktë në 8 raste nga po aq tentativa në total.
Në takimet e tjera, Memphis Grizzlies morën një fitore të vuajtur, 112-108 ndaj Dallas Mavericks, që iu gëzuan rikthimit në parket të Kyrie Irving. ‘Uncle Drew’ gjithësesi nuk mjaftoi për teksanët, edhe pse ishte një ndër shënuesit më të mirë në parket me 28 pikë. Po 28 pikë realizoi edhe Jaren Jackson Jr. për Memphis, që gjetën në formë të mirë edhe spanjollin Aldama, me 22 pikë e 14 ribaunde. Utah Jazz morën një fitore me peshë, 128-120 kundër Sacramento Kings, edhe pse luanin pa Lauri Markkanen. Warriors ndërkohë nuk hasën telashe ndaj Houston Rockets, duke triumfuar 121-108, kurse Charlotte Hornets i dhanë një goditje të fortë Indiana Pacers, duke i mundur 115-109.