Për të tretën herë në 11 ndeshjet e fundit, Giannis Antetokounmpo arrin kuotën e 50 pikëve të shënuara. ‘The Greek Freak’ bëri një tjetër ndeshje të madhe, teksa udhëhoqi Milwaukee Bucks drejt fitores shumë të vështirë ndaj Los Angeles Clippers, me rezultatin e ngushtë 106-105. 54 pikë e 19 ribaunde nga ana e Giannis, që ishte dominues me 21 gjuajtje të sakta nga loja. Gjithësesi, për Bucks mund të ishin përballur me humbjen, nëse gjuajtja e Kawhi Leonard në fundin e ndeshjes do kishte qenë e saktë. Fati këtë herë ishte në krahun e Milwaukee-t, që siguroi fitoren e gjashtë radhazi.
Vijojnë rrugën e fitoreve ata të Denver Nuggets, që mbeten skuadra për t’u mundur në ‘Konferencën e Perëndimit’. Ekipi nga Kolorado mposhti 134-117 kampionët në fuqi të Golden State Warriors, në një ndeshje ku dyshja Jokic-Murray dhanë më të mirën e tyre. Jamal Murray ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, teksa dha kontributin e tij edhe me 5 ribaunde e 8 asistë. Ndërsa Jokic regjistroi sërish ‘triple-double’, i 17-i në këtë sezon. 22 pikë, 14 ribaunde e 16 asiste për ‘the Joker’, që u tregoi të gjithëve pse mbetet favorit për t’u konfirmuar si ‘MVP’ i këtij sezoni.
LA Lakers kanë marrë një triumf të rëndësishëm ndaj Indiana Pacers, duke i mposhtur 112-111 vetëm në sekondat e fundit. Anthony Davis ishte ai që shënoi koshin vendimtar për Lakers, ndërkohë që Tyrese Haliburton mund t’i kishte dhënë fitoren skuadrës së Pacers, por fati nuk ishte në anën e tij. 31 pikë e 14 ribaunde për ‘AD’ tek Lakers, ndërkohë që LeBron James e mbylli me 26 pikë, duke filluar numërimin mbrapsht për thyerjen e rekordit të Kareem Abdoul-Jabbar.
Në takimet e tjera, Dallas Mavericks triumfuan 111-106 ndaj New Orleans Pelicans. Luka Doncic ishte shënuesi më i mirë me 31 pikë, por slloveni nuk e përfundoi ndeshjen, pasi pësoi një tjetër dëmtim. Chicago Bulls kaluan 114-98 Charlotte Hornets, ndërsa Cleveland mposhti 128-113 Memphis Grizzlies. Fitore e rëndësishme edhe për New York Knicks, që në ‘Madison Square Garden’ triumfoi 106-104 ndaj Miami Heat.