NBA, Bucks përmbysin Celtics; Philadelphia i dorëzohet Torontos; ndalen Grizzlies

Sport

Milwaukee Bucks dhe Boston Celtics kanë dhuruar spektakël në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt në ‘Fiserv Forum’, me kampionët në fuqi që përmbysin rezultatin në 127-121. Takimi pati një ritëm që të krijonte idenë e një ndeshjeje ‘play-off’-i. Por ndryshe nga çfarë ndodh zakonisht, kampionët këtë herë u frymëzuan në momentet e fundit nga Jrue Holiday. 31-vjeçari ia doli të realizonte 29 pikë, 8 ribaunde e 8 asiste. Edhe Giannis gjithësesi vazhdoi me ritme të mira, duke e kompletuar një ‘double-double’ me 29 pikë e 11 ribaunde. Tek Celtics, në mungesë të Jayson Tatum, u mbështetën tek dyshja Jaylen Brown e Marcus Smart. I pari realizoi ‘triple-double’ me 22 pikë, 10 ribaunde e 11 asiste, ndërkohë që Smart ishte vendimtar me 29 pikë. Me këtë fitore ndaj Celtics, Bucks kanë siguruar vendin e dytë të ‘Konferencës së Lindjes’ dhe dy sfidat e fundit pritet të mos i shohë kampionët po aq të imponuar sa kjo ndeshje e luajtur në ‘Fiserv Forum’.

Takim i rëndësishëm në ‘Konferencën e Lindjes’ ishte edhe ai mes Toronto Raptors dhe Philadelphia 76ers. Madje gjasat janë që këto dy skuadra të përballen me njëra-tjetrën që në raundin e parë të fazës ‘play-off’, duke parë renditjen e tyre aktuale. Raptors ia dolën të dhuronin një performancë të madhe përpara tifozëve të tyre, duke triumfuar 119-114. Pascal Siakam kompletoi një ‘triple-double’ me 37 pikë, 11 ribaunde e 12 asiste, duke fituar duelin me bashkëkombasin e tij, Joel Embiid. Gjigandi i Sixers shënoi 30 pikë e fitoi 10 duele për topin nën tabelë, po që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.

Janë ndalur sërish ata të Memphis Grizzlies. Pas humbjes në kohën shtesë ndaj Utah Jazz, skuadra e trajnerit Jenkins është mposhtur 122-109 nga Denver Nuggets. Nikola Jokic ishte sërish dominues, me 35 pikë, 16 ribaunde e 6 asiste. Aaron Gordon shënoi 22 pikë, ndërsa Barton e Hyland nga 16. Tek Grizzlies nuk patën saktësinë e zakonshme sa i përket gjuajtjeve. Për këtë mjafton të citosh faktin se shënuesi më i mirë i tyre në këtë takim ishte Desmond Bane me 14 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Charlotte Hornets triumfuan 128-101 ndaj Orlando Magic, ndërkohë që New Orleans Pelicans nuk hasën rezistencë kundër Portland Trail Blazers, që i mposhtën 127-94. Minnesota fitoi një sfidë të luftuar ndaj San Antonio Spurs, 127-121, kurse Lakers, tashmë jashtë fazës finale të sezonit, morën tjetër humbjes, kësaj radhe 128-112 nga Golden State Warriors.