NBA, Bucks mposhtin LA Lakers; Denver e Chicago bëjnë hapa fals

Sport

Milwaukee Bucks kanë siguruar fitoren e nëntë radhazi, duke u shndërruar në skuadrën më në formë të momentit në NBA. Të udhëhequr nga Giannis Antetoukounmpo, Bucks mposhtën në Los Angeles skuadrën e Lakers, që këtë herë luanin pa LeBron James. Fillimisht ishin vendasit që morën avantazhin, pasi kishin një distancë prej 5 pikësh deri në fundin e periodës së parë. Edhe në 12 minutat e dyta, Lakers e menaxhuan mirë situatën, duke e thelluar rezultatin deri në 8 pikë në favor të tyre. Diferencat u bënë në periodën e tretë, aty ku Giannis dhe Bucks nuk toleruan më. ‘The Greek Freak’ shënoi 38 pikë, ndërkohë që dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 10 ribaunde e 6 asiste. Tek Lakers, shënuesi më i mirë ishte Dennis Schroder me 25 pikë, ndërsa Anthony Davis u ndal në 23 pikë e 16 ribaunde.

Janë rikthyer tek fitorja ata të Brooklyn Nets, që mposhtën 116-105 Chicago Bulls. Përpara publikut të tyre dhe dyshes Mikal Bridges e Cam Johnson, që presin të bëjnë debutimin me njujorkezët, Nets u udhëhoqën nga Spencer Dinwiddie. I rikthyer në ‘Barclays Center’, Dinwiddie bëri më të mirën e tij me 25 pikë, 5 ribaunde e 6 asiste. Ndeshje të mirë bënë edhe Cam Thomas e Joe Harris, me nga 20 e 18 pikë secili. Zach LaVine i Chicago-s ishte shënuesi më i mirë i takimit me 38 pikë, por që nuk e shmangën këtë humbje për ekipin e trajnerit Billy Donovan.

Befasojnë ata të Orlando Magic, që mposhtën 115-104, kryesuesit e ‘Konferencës së Perëndimit’, Denver Nuggets. Edhe pse skuadra nga Kolorado kishte dy shënuesit më të mirë të përballjes, Aaron Gordon me 37 pikë dhe Nikola Jokic me 29, Orlando ia doli të merrte një fitore surprizë. Në pritje të debutimit të Kevin Durant, Phoenix Suns u mposhtën 116-107 nga Atlanta Hawks. Trae Young bëri një paraqitje të madhe me 36 pikë, 7 ribaunde e 12 asiste, teksa pati edhe mbështetjen e emrave si DeJounte Murray apo John Collins.