NBA, Bucks e Clippers triumfojnë në limite; Nets rikthehen tek fitorja

Sport

Milwaukee Bucks duket se janë skuadra për t’u ndalur në këtë sezon të ri të NBA. Ekipi nga Wisconsin ka siguruar fitoren e gjashtë, në po kaq ndeshje të luajtura deri më tani, duke mbetur në kreun e ‘Konferencës së Lindjes’. Këtë herë, Bucks vuajtën jo pak ndaj Detroit Pistons, të cilët i mposhtën vetëm në sekondat e fundit, me rezultatin 110-108. Giannis Antetokounmpo ishte shënuesi më i mirë i takimit, me 31 pikë, teksa dha kontributin e tij edhe me 7 ribaunde. Tek Detroit Pistons dalloi sërish Cade Cunningham, me 27 pikë, 6 ribaunde e 7 asiste, por ndeshje të madhe bëri edhe Jrue Holiday. Madje ky i fundit ishte deçiziv në sekondat e fundit, me një 3 pikësh që i dërgoi Bucks tek fitorja. Holiday e mbylli me 25 pikë, 7 ribaunde e 10 asiste, ndërkohë që janë ende në pritje të rikthimit nga dëmtimi të Khris Middleton.

Triumf në limitet e kohës së rregullt edhe për Los Angeles Clippers, që iu falën një super Paul George në fitoren 95-93 ndaj Houston Rockets. Clippers morën avantazhin prej 7 pikësh që në periodën e parë, por teksanët e Rockets reaguan menjëherë në 12 minutat e dyta. Atëherë kur loja dukej se do shkonte në kohën shtesë, Paul George bëri diferncën, duke fituar duelin një për një ndaj Eric Gordon e duke shënuar një ‘jumper’ shumë të vështirë. ‘PG13’ e mbylli me 35 pikë të shënuara, 9 ribaunde e 8 asiste, duke i dhënë triumfin skuadrës së tij, pas 4 humbjeve radhazi.

Janë rikthyer tek fitorja edhe ata të Brooklyn Nets, që kaluan 116-109 Indiana Pacers. Në një takim ku mungonte për arsye dëmtimi Ben Simmons, Nets morën kontrollin që në periodën e parë, falë dyshes Kevin Durant e Kyrie Irving, të cilët siguruan një avantazh prej 15 pikësh. Durant e mbylli ndeshjen me 36 pikë, 9 ribaunde e 7 asiste, ndërsa Irving me 28 pikë, 6 ribaunde e po aq asiste. Tek Indiana, më i miri ishte Chris Duarte me 30 pikë, po që vlejnë vetëm për statistikat personale të lojtarit nga Republika Domenikane.