NBA, Bucks dominojnë ndaj Pelicans; Dallas ndalet nga Minnesota

Sport

Giannis Antetokounmpo ka dhuruar një performancë prej ‘MVP’-je në fitoren 128-119 të Milwaukee Bucks ndaj New Orleans Pelcians. Një takim që vinte përballë dy nga ekipet më të mira të momentit në ligë, por Bucks duket se kishin diçka më tepër me Giannis në parket. Greku e mbylli me 42 pikë e 10 ribaunde, me një saktësi 70% në gjuajtjet e tij në aksion e sipër. Ai eklipsoi një paraqitje rekord për Jonas Valanciunas të Pelicans, i cili shënoi 37 pikë dhe siguroi 18 ribaunde. Kjo ishte humbja e katërt radhazi për New Orleans, që kanë zbritur në vendin e katërt të ‘Konferencës së Perëndimit’.

Janë ndalur ndërkohë ata të Dallas Mavericks, që u mposhtën 116-106 nga Minnesota Timberwolves. Anthony Edwards bëri një ndeshje të madhe, duke qenë pranë realizimit të një ‘triple-double’-i, me 27 pikë, 13 ribaunde e 9 asistë. 27 pikë edhe për Naz Reid, ndërkohë që për Mavericks, shënuesi më i mirë ishte Spences Dinwiddie me 20 pikë. Teksanët krijuan jo pak momente tensioni përgjatë ndeshjes, duke mos rënë dakord me disa vendime të arbitrave. Në fundin e periodës së tretë, protestat ndëshkuan trajnerin Jason Kidd dhe Luka Doncic, që u përjashtuan nga loja. Slloveni kështu nuk mundi ta ndihmonte deri në fund skuadrën e tij, duke u larguar me 19 pikë, 6 ribaunde e 7 asiste.

Fitore në limite për Atlanta Hawks, të cilët mposhtën 126-125 Orlando Magic. Atlanta e dominoi takimin dhe periodën e katërt e nisi me idenë e një fitoreje të lehtë. Por në 5 minutat e fundit, ata të Orlandos përmbysën gjithçka. Atlanta organizoi një sulm të fundit, me Dejounte Murray që mori përsipër gjuajtjen. Tentativa e tij nuk rezultoi e saktë, por arbitrat akorduan një faull të Paolo Banchero. Murray i shënoi të dyja gjuajtjet e lira, ndërkohë që Banchero provoi në fund t’i jepte fitoren ekipit të tij, por pa sukses.