NBA, Bucks bindin ndaj Warriors; Lakers dorëzohen në shtesë me Celtics

Sport

Milwaukee Bucks do të vazhdojnë të luftojnë për të mbërritur tek vendi i parë i ‘Konferencës së Lindjes’, pavarësisht kalendarit të ndërlikuar përgjatë muajit dhjetor. Skuadra nga Wisconsin triumfoi 128-111 ndaj Golden State Warriors, në një takim që pati tension dhe emocione të mëdha. Bucks siguruan një avantazh prej 11 pikësh që në periodën e parë. Warriors tentuan të përgjigjeshin, por hasën në një rezistencë të fortë të vendasve. Giannis Antetokounmpo me 30 pikë e 12 ribaunde kompletoi një ‘double-double’, njësoj si edhe Bobby Portis, që e mbylli 25 pikë e 11 ribaunde. Pavarësisht kësaj fitoreje, Milwaukee mbetet në vendin e dytë, pasi Celtics ia dolën të triumfonin në transfertën me Los Angeles Lakers, duke ruajtur pozitat në krye të tabelës. Finalistët e vitit të shkuar po shkonin në fakt drejt humbjes së tretë radhazi, me Lakers që udhëhiqnin me 13 pikë deri në 3 minuta nga fundi i lojës. Por të frymëzuar nga Jayson Tatum, Celtics rikuperuan, duke e dërguar ndeshjen në kohën shtesë. Skuadra nga Masaçusets bëri diferencën në ato 5 minuta, duke i dhënë një goditje të fortë LeBron James e Anthony Davis. Dyshja kryesore e Lakers-ave bënë një ndeshje fantastike në aspektin personal. ‘King James’ shënoi 33 pikë, 9 ribaunde e po aq asiste, kurse ‘AD’ u ndal në 37 pikë e 12 ribaunde. Shënuesi më i mirë i ndeshjes ishte gjithësesi Tatum, me 44 pikë shënuara, ndërkohë që kontribut të rëndësishëm dha edhe Jaylen Brown, me 25 pikë e 15 ribaunde.
Gabojnë ata të Phoenix Suns, që kanë marrë një humbje të papritur 111-97 nga Houston Rockets, në një ndeshje zhgënjyese nga emra si Chris Paul, Deandre Ayton apo Mikkal Bridges. Philadelphia 76ers triumfuan 123-103 kundër Sacramento Kings. Skuadra e trajnerit Doc Rivers dominoi lojën që nga fillimi, me Joel Embiid që ishte shënuesi më i mirë në parket me 31 pikë. Fitore të rëndësishme morën edhe tek Utah Jazz, që kaluan 121-100, kryesuesit e ‘Konferencës së Perëndimit’, New Orleans Pelicans. 4 lojtarë të Utah shënuan 18 pikë ose më shumë, ndërkohë që diçka të tillë tek Pelicans e realizoi vetëm Zion Williamson, i cili nuk mjaftoi për t’i dhënë fitoren ekipit të tij.