Damian Lillard nuk do të jetë më pjesë e Milwaukee Bucks. Lajmi i bujshëm konfirmohet nga mediat amerikane dhe vetë klubi nga Wisconsin. Por nuk bëhet fjalë për një shkëmbim, siç shumë mund ta kishin menduar, por për një prishe të njëanshme të kontratës së Lillard, i cili tani do të jetë një lojtar i lirë. Aktualisht, lojtari ndodhet në Portland, pranë familjes së tij, teksa ende rikuperohet pas operacionit të kryer në fillim të majit, kur pësoi edhe dëmtimin e rëndë të këputjes së ligamenteve në tendina. Lillard do të ketë në dispozicion të gjithë kohën e nevojshme për të menduar lëvizjen e radhës, ku shumë skuadra do të ishin të lumtura të prisnin rikuperimin e plotë të tij, për t’i ofruar një kontratë të rëndësishme. Ndërkohë që pas prishjes së kontratës nga Bucks, lojtari do të përfitojë plot 113 milionë dollarë, duke qenë se kemi të bëjmë me prishje të njëanshme të marrëveshjes. Skenar i shkëlqyer për Lillard, i cili tani synon të firmosë me një skuadër ku mund të luftojë për titullin kampion, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që sheh një rikthim të tijin në Portland. Më 15 korrik, Lillard do të mbushë 35 vjeç, prandaj firma e radhës do të mendohet mirë nga ana e organizatorit. Gjatë sezonit që lamë pas, Lillard pati jo pak probleme me dëmtimet, duke luajtur vetëm 58 ndeshje në total, me një mesatare prej thuajse 25 pikësh, 5 ribaundesh e 7 asistesh për ndeshje.
Sa i përket Bucks, me largimin e Lillard, ata të Milwaukee-t kanë krijuar kushtet për të firmosur me Myles Turner. Ky i fundit vjen si lojtar i lirë, pas përfundimin të kontratës me Indiana Pacers, me të cilët shkoi deri në ndeshjen e shtatë të finaleve të këtij sezoni. Turner ka pranuar të firmosë me Bucks një kontratë 4-vjeçare, ku do të përfitojë në total 107 milionë dollarë. Në marrëveshje përfshihet opsioni i lojtarit për vitin e katërt, nëse ai do të dojë të largohet dhe 15% të fitimeve nga marketingu me emrin e tij.