NBA, Boston i jep leksion Clevelandit të LeBron James

Sport

mbaaaddd

Boston Celtics janë fituesit e ndeshjes së parë të finales së “Konferencës së Lindjes” ndaj Cleveland Cavaliers. Skuadra nga Masaçusets i ka dhënë një leksion të vërtetë LeBron James dhe shokëve të tij të skuadrës, teksa i mundën me rezultatin 108-83. Me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve të pranishëm në “TD Garden”, Celtics zhvilluan një ndeshje thuajse perfekte, ku padyshim diferencën e bërë taktika e shkëlqyer mbrojtëse e menduar nga trajneri Brad Stevens.
Gjatë periodës së parë, Boston mbylli të gjitha hapësirat e yllit të Cleveland, LeBron James, dhe arritën të siguronin një avantazh prej 18 pikësh, avantazh që do të thellohej deri në 28 pikë. Kështu Celtics morën një fitore mjaft të rëndësishme, ndonëse me mungesat e mëdha të lojtarëve me peshë si Hayward apo Kyrie Irving.
Jaylen Brown ishte shënuesi më i mirë i takimit me 23 pikë, ndërsa ndeshje të shkëlqyer zhvilloi edhe Marcus Morris, që realizoi 21 pikë dhe fitoi 10 duele për topin nën tabelë.
Nga ana tjetër, James për Cavaliers e mbylli sfidën me 15 pikë, 9 asiste dhe 7 zotërime të topit nën tabelë, ndërsa Kevin Love ishte shënuesi më i mirë për Cleveland, me 17 pikë të realizuara.