NBA, Boston e Milwaukee nuk ndalen; James udhëheq Lakers ndaj Portland

Sport

Cleveland Cavaliers kanë fituar një përballje me shumë peshë sa i përket luftës për zonën ‘play-off’, duke mposhtur 113-85 një kundërshtar direkt si Philadelphia 76ers. Edhe pse luanin me Joel Embiid, ata të Sixers nuk ia dolën në asnjë moment t’i përgjigjeshin lojës së kundërshtarëve nga Ohio. Cavaliers dominuan përgjatë gjithë takimit, me Caris LeVert dhe Darius Garland që shënuan respektivisht 22 e 21 pikë. Cleveland mban kështu vendin e 3 në ‘Konferencën e Lindjes’, ku qëndron pas dy prej skuadrave më në formë të këtij sezoni, Boston Celtics dhe Milwaukee Bucks.

Celtics mposhtën 134-121 Miami Heat, falë një super Jayson Tatum, që shënoi 49 pikë dhe fitoi 11 ribaunde. Ylli i Bostonit ishte i saktë në 8 gjuajtje nga përtej harkut, teksa pati edhe mbështetjen e Jaylen Brown, që u ndal në 26 pikë, 7 ribaunde e 5 asiste. Ndërsa ata të Bucks kaluan mes vështirësive 109-103 New York Knicks. Giannis Antetokounmpo bëri liderin, me 37 pikë, 13 ribaunde e 7 asiste, duke i dhuruar skuadrës nga Wisconsin, fitoren e 15 në 20 ndeshjet e para të këtij sezoni.

Në ‘Konferencën e Perëndimit’ vijojnë të udhëheqin ata të Phoenix Suns, që së fundmi triumfuan pa shumë probleme ndaj Chicago Bulls, me rezultatin 132-113. Skuadra nga Arizona mori kontrollin e lojës brenda pjesës së parë, ku regjistruan një avantazh prej plot 21 pikësh. Devin Booker shënoi një ndeshje të madhe, me 51 pikë të shënuara, duke shpërdoruar vetëm 1 nga 7 tentativat për 3. Kjo ishte hera e katërt në karrierë për yllin e Suns, që arrin të kapë shifrën e 50 pikëve në një ndeshje. ‘Double-double’ për DeAndre Ayton, me 30 pikë e 14 ribaunde, ndërkohë që tek Bulls, i vetmi që u përpoq të bënte diçka, ishte si zakonisht DeMar DeRozan, i cili nuk e kaloi kuotën e 29 pikëve.