Për herë të parë që nga viti 2010, ‘TD Garden’ priste një ndeshje të ‘Finaleve’ të NBA dhe lojtarët e Boston Celtics dhuruan një performancë të madhe përpara tifozëve të tyre, duke triumfuar 116-100 në takimin e tretë të serisë ndaj Warriors. Jayson Tatum, Jaylen Brown dhe Marcus Smart ishin ata që udhëhoqën ekipin e trajnerit Udoka në këtë përballje. Secili realizoi mbi 20 pikë, 5 ribaunde e 5 asiste, duke u bërë e para treshe që e realizon diçka të tillë në një ndeshje të ‘Finaleve’ që nga viti 1984. Brown bëri në pjesë të parë të shkëlqyer, duke kaluar që në ato çaste kuotën e 20 pikëve, ndërkohë që Tatum mori përsipër disa nga momentet më vendimtare të fundit të lojës. Celtics morën një avantazh prej më shumë se 12 pikësh që në fillim dhe ia dolën të menaxhonin mjaft mirë situatën deri në periodën e tretë.
Në ato momente, Warriors shfaqën më të mirën e tyre dhe të frymëzuar nga 3 pikëshat e Steph Curry-t, përmbysën për një çast rezultatin. Tek Celtics ruajtën qetësinë dhe rimorën nën kontroll lojën, teksa nuk munguan edhe momente e tensionit në parket, që kishin si protagonist të zakonshmin Draymond Green. Curry e mbylli me 31 pikë, ndërsa Klay Thompson me 25, duke qenë më të mirët në këtë aspekt për ekipin nga San Francisco. Trajneri Steve Kerr dhe stafi i tij patën një moment ankthi kur Curry pësoi një dëmtim në këmbën e majtë, por gjasat janë që ai të rikuperohet shumë shpejt. Tani seria e ‘Finaleve’ udhëhiqet 2-1 nga ana e Celtics, ndërkohë që edhe ndeshja e katërt do të luhet sërish në ‘TD Garden’, aty ku Golden State duhet të kërkojë më ngulm fitoren, nëse nuk duan të jenë pranë kapitullimit.