Boston Celtics ishin një nga surprizat e mëdha të sezonit që lamë pas në NBA. Skuadra nga Masaçusets përmbysi të gjitha pritshmëritë e krijuara deri në muajin janar, duke ia dalë të mbërrijë në fazën ‘play-offs’ e madje të shpalleshin kampionët e ‘Konferencës së Lindjes’. Por në ‘Finalet’ e mëdha, lojtarët e trajnerit Udoka u mposhtën nga eksperienca dhe gjenialiteti i Golden State Warriors. Për të korrigjuar këtë gjë, Celtics po mendojnë të afrojnë në ekip një ish të Warriors, Kevin Durant. Ky i fundit është prej kohësh emri më i përfolur në NBA, pasi në fund të qershorit kërkoi largimin nga Brooklyn Nets. Por shumë skuadra e kanë të vështirë të përmbushin kushtet e ekipit njujorkez që të lënë të lirë Durant. Në rastin e Celtics, diçka e tillë nuk duket e pamundur.
Në fakt, kjo lëvizje e Boston duket e befasishme, pasi të gjithë mendojnë se drejtuesit e Celtics do të vijojnë punën më grupin e ri të lojtarëve, që kërkojnë të fitojnë sa më shumë eksperiencë. Por duke parë ecurinë e sezonit të shkuar, ata besojnë se mund të arrijnë shpejt tek sukseset e mëdha, nëse do të kenë një skuadër edhe një emër si Kevin Durant. Burime pranë një prej klubeve më të titulluara të historisë bëjnë më dije se prej disa ditësh kanë nisur kontaktet me drejtuesit e Brooklyn Nets, që edhe pse janë të vështirë për t’u bindur, janë të intriguar nga përfshirja e mundshme në marrëveshje e Jaylen Brown. Në moshën 25-vjeçare, Brown premton shumë për të ardhmen, teksa gjatë 2021/2022-shit, regjistroi mesatarisht 23 pikë, 6 ribaunde e 4 asiste në 66 ndeshje të luajtura. Por padyshim që emri i Jaylen Brown nuk do të mjaftonte për të kompletuar shkëmbimin për Durant.
Nets do të kërkojnë të shtohen edhe asete të tjera në një marrëveshje të tillë dhe palët janë duke biseduar të gjitha mundësitë. Celtics po ashtu do të detyrohen të largojnë edhe ndonjë emër tjetër me peshë, që të krijojnë hapësirat financiare për kontratën afatgjatë e të shtrenjtë të Durant. Për momentin, i vetmi emër i paprekshëm tek Boston është Jayson Tatum, që shihet si fytyra e skuadrës për dekadën e ardhshme. Ndërkohë që i sapoardhuri Malcom Brogdon, mund të marrë përgjegjësitë e Jaylen Brown në skuadër, në rast se ky i fundit do të largohet nga ‘TD Garden’.