Pas një kohe të gjatë jashtë parketit, Kyrie Irving është i gatshëm për skuadrën e Boston Celitcs. Ylli kryesor i skuadrës nga Masaçusets është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe është i gatshëm të vijojë normalisht stërvitjen me pjesën tjetër të skuadrës. Por veç Irving, ka lënë pas dëmtimi edhe Gordon Hayward, që pas kontrolleve të fundit të bëra nga stafi i skuadrës, duket se do të jetë gati në urdhrat e trajnerit Brad Stevens. Të dy basketbollistët janë mjaft të rëndësishëm për formacionin e Celtics, madje janë cilësuar si ndër më të mirët e sezonit të kaluar në “Konferencën e Lindjes”. Ata u dëmtuam në fundin e sezonit të rregullt, çfarë ndikoi jo pak në rezultatet e Boston në fazën “play-off”.
Ata aspironin të shpalleshin kampionë të “Lindjes”, por dëmtimet e dy lojtarëve në fjalë bënë që skuadra të dilte nga objektivat. Kështu rikthimet e Irving dhe Hayward konsiderohen si blerje më vete për Celtics, që këtë sezon shihen absolutisht si favoritë në “Konferencën e Lindjes” dhe ndër pretendentët kryesorë për të arritur finalen e madhe të NBA sezonin e ardhshëm. Kjo edhe për shkak se Cleveland Cavaliers, që kanë qenë kampionë absolute në këtë konferencë, tashmë nuk do të ketë në radhët e tyre LeBron James, që zgjodhi të vazhdonte karrierën tek Los Angeles Lakers.