NBA, Boston Celtics dominojnë në ‘FTX Arena’, fitojnë ndeshjen e dytë ndaj Miami Heat

Sport

Rikthimi i Marcus Smart dhe Al Horford në parket për Boston Celtics ka rezultuar më shumë se vendimtar për skuadrën nga Masaçusets, që ia doli të triumfonte në ndeshjen e dytë të finales së ‘Konferencës së Lindjes’. Celtics dominuan 127-102 ndaj Miami Heat, në një ndeshje që nuk pati shumë histori. Pas një nisjeje të mirë të takimit, vendasit e Miami-t vuajtën mbrojtjen e fortë të Boston-it, që në anën tjetër, ishte në një formë të jashtëzakonshme në gjuajtjen për 3 pikë. Skuadra e trajnerit Ime Udoka shënoi plot 20 gjuajtje për 3 pikë, që përkonte me gjysmën e tentativave të bëra në total nga lojtarët e tij.

Ndërkohë që tek Miami, gjatë gjithë lojës u shënuan vetëm 10 3-pikësha. Deri në fundin e pjesës së parë, Celtics udhëhiqnin me rezultatin e thellë 70-45. Me nisjen e periodës së tretë, Miami bëri përpjekjet e fundit për t’u rikthyer në lojë, por gjithnjë gjenin përgjigjen e lojtarëve të Celtics, që herë me Tatum e herë me Smart, shënonin nga përtej harkut. Tatum ishte shënuesi më i mirë për Boston-in, me 27 pikë, ndërkohë që Jaylen Broën dhe Marcus Smart shënuan nga 24 pikë, por ky i fundit ishte pranë kompletimit të një ‘triple-double’-i edhe me 9 ribaunde e 12 asiste.

Tek Miami, i vetmi që e kaloi kuotën e 20 pikëve ishte Jimmy Butler, i cili kësaj here ishte i vetëm përballë forcës së Celtics. 32-vjeçari shënoi 29 pikë, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale. Në këtë mënyrë, seria e finales së ‘Konferencës së Lindjes’ barazohet në 1-1 dhe tashmë 2 takimet e radhës do të luhen në ‘TD Garden’, ku ata të Boston Celtics do të provojnë të përfitojnë nga mbështetja e publikut të tyre.