Anthony Davis mbetet një nga emrat më të lakuar në NBA. Mediat amerikane e shohin të ardhmen e 25-vjeçarit gjithnjë e më larg New Orleans, të cilët pas DeMarcus Cousins, rrezikojnë të humbasin një tjetër lojtar të rëndësishëm të skuadrës. Në fakt një largim i Davis është diçka që tek Pelicans duket se po e kërkojnë edhe vetë, për të mos e humbur lojtarin me parametra zero. Në 2020-ën, lojtarit i skadon kontrata aktuale me New Orleans Pelicans dhe për këtë arsye drejtuesit e kësaj skuadre po kërkojnë ta bëjnë Davis pjesë të një marrëveshjeje për një lojtar tjetër.
Kjo bëhet edhe për shkak se rinovimi me të është thuajse i pamundur. Davis në sezonet e fundit ka dhenë performanca prej “MVP”-je, dhe kërkon të fitojë titullin kampion, diçka që është jashtë objektivave të Neë Orleans deri më tani. Interesim për 25-vjeçarin thuhet të ketë shfaqur Boston Celtics, që mbetet e etiketuar si skuadra më e fortë e “Konferencës së Lindjes”. Celtics do t’u pëlqente një afrim me peshë si Davis, që së bashku me Kyrie Irving, mund të çojnë skuadrën në një tjetër nivel, e do ktheheshin në favoritë për të fituar titullin kampion. Kështu me vullnetin e të dyja skuadrave dhe vetë lojtarit, kjo lëvizje e madhe mund të mbyllej që brenda kësaj vere.