Barcelona siguroi një fitore të madhe 3-0 në shtëpi ndaj Liverpulit, duke hedhur një këmbë drejt finales së Champions League. Leo Mesi ishte ylli i ndeshjes duke realizuar dy gola nga të cilët, njëri ishte për kornizë. Por mbi të gjitha përmes këtyre realizime shkroi historinë, pasi i vlejtën arritjen e kuotës së 600 golave në karrierë, ekzaktësisht 14 vjet pas të parit në një ndeshje të kampionatit ndaj Albacete… Por këtë radhë shënoi kundër Liverpulit, njërës prej 10 kundërshtarëve që nuk kishte arritur t’i bënte dot gol deri tani. E madje në një mbrëmje ku dha më të mirën e repertorit të tij, argjentinasi ia doli të shënojë edhe golin nga distanca më e largët përgjatë karrierës së tij në Champions League: plot 29 metra. Ai arriti të gjente trekëndëshin nga një goditje dënimi, por vetë argjentinasi e pranon se ishte me fat në atë gol. “Vërtet që ajo goditje dënimi ishte spektakolar, por pata fat që topi shkoi dhe gjeti trekëndëshin. Nuk më pëlqeu që kishte vërshëllima në stadium për Kutinjon pasi duhet që të jemi të gjithë të bashkuar në realizimin e objektivave”, tha Leo Mesi, duke shpjeguar kështu edhe gjestin e bërë gjatë festimit për goli e dytë.
Nuk luante një gjysmëfinale të Champions League që prej 2015-s kur në Kamp Nou kishte ulur në gjunjë Zherome Boateng përballë Bajernit të Mynihut. E pas tre edicionesh mungesa dhe eleminimeve në cerekfinaleve, Leo Messi u kthye. Dhe e bëri në stil madhështor. “El Pulce” nuk la t’i shpëtonte rasti në skenën më të rënëdësishme të futbollit evropian dhe për më tepër në një ndeshje që mund të ketë vendosur finalen për katalanasit. Gjithashtu pasuroi edhe numrin e golave kundër skuadrave angleze: 26 në 33 ndeshje përballë kundërshtarëve nga Premier League. Gjithsesi, ai është i bindur se ende nuk ka përfunduar asgjë dhe se e rëndësishme për Barcelonën është që nuk ka pësuar gol në shtëpi. “Mund të shënonim edhe golin e katërt por jemi të kënaqur gjithsesi. Ende nuk ka përfunduar asgjë pasi në Angli na pret një ndeshje e vështirë. Liverpuli luajti shumë me ritëm dhe na bëri të vuajmë duke krijuar disa raste sidomos pjesën e dytë, por për fat të mirë nuk pësuam gol. Kjo është vërtet e rëndësishme për ndeshjen e kthimit”.