Victor Osimhen kushton 150 mln euro. Ky është çmimi që Napoli i ka vendosur sulmuesit. Nigeriani, është në oribtën e disa klubeve të mëdha të kontinentit, të duan të marrin sa më parë shërbimet e tij në merkaton e kësaj vere.
Megjithëse, për Napolin, Osimhen është një gur themeli, ai nuk është i pashitshëm, ndonëse trajneri i ri i kampionëve, Rudi Garcia, e shikon 24 vjeçarin si element thelbësor të projektit të tij.
Me dy vite të tjera të mbetura në kontratë, presidenti i klubit, Aurelio De Laurentis, ka vendosur pikërisht çmimin 150 mln euro. Sipas numrit një të klubit jugro të Italisë, kush nuk paraqitet në dyert e të kaltërve me një ofertë të tillë, atëherë nuk ka absolutisht të drejtë që të ulet në tavolinë për të diskutuar.
Nga ana tjetër, Napoli ka edhe një plan B për Osimhen. Rinovimi i kontratës së lojtarit është gati. Tre herë kampionët e Italisë, janë të gatshëm që të ulen dhe të bisedojnë me sulmuesin, për të arritur në një marrëveshje të re, në mënyrë që “bashkëjetesa” e tyre të vazhdojë edhe për disa edicione të tjera.
Sipas informacioneve që përcillen nga mediat përtej Adriatikut, në kontratën e re, për lojtarin parashihet edhe një përmirësim i termave financiarë. Nga 4 mln euro që përfiton aktualisht, nëse rinovon, Osimhen do të përfitojë deri në 6 mln euro në sezon.
Thënë ndryshe, teksa ndodhemi në merkaton e verës, Napoli është duke u përgatitur për çdo situatë të mundshme. Nëse Osimhen do të largohet, klubi do të marrë masa për të sjellë në “Diego Armando Maradona” një pasardhës së denjë. Gjithashtu, në rast qëndrimi të lojtarit, palët do të sigurohen që “bashkëjetesë” të shkojë me sukses.