Napoli vendos çmimin për Victor Osimhen

Sport

Victor Osimhen kushton 140 mln euro. Ky është çmimi që ka vendosur Napoli për sulmuesin e qendrës. Që prej momentit kur është bërë pjesë e skuadrës së kaltër, në verën e 2020-tës, nigeriani ka qenë vazhdimisht në fokusin e klubeve me peshë të kontinentit, që herë pas here kanë tentuar të sigurojnë shërbimet e 24 vjeçarit.

Mirëpo, këtë sezon, vëmendja sa vjen e po bëhet më e madhe, për faktin se Napoli po përjeton një sezon historic dhe Osimhen është një ndër protagonistët absolutë të sukseseve të skuadrës së Luçiano Spalletit.

Në këtë mënyrë, duke parrë rritjen me hapa galopant të lojtarit, klubi synon të përfitojë në maksimum në rast shitje të tij dhe për ta lënë të lirë, kërkon plot 140 mln euro. Këtu nuk bëhet fjalë për merkaton e janarit, sepse duke parë situatën që po kalon Napoli, as vetë Osimhen nuk e mendon largimin nga Diego Armando Maradona në këtë fazë të sezonit.

Jo vetëm fakti që ekipi i kaltër po dominon Serie A, por gjithashtu ata ëndërrojnë të shkojnë larg edhe në Champions League, e për këtë arsye, palët kërkojnë që këtij rrugëtimi t’i shkojnë bashkë deri në fund. Në kushte si këto, largimi i Osimhen që në janar, konsiderohet një mission i pamundur. Mirëpo, në verë situata mund të marrë një tjetër rrjedhë.

Deri në këtë fazë të këtij edicioni futbollistik, Osimhen ka luajtur 17 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe është përfshirë gjithësej në 17 gola, me 13 finalizime dhe 4 asiste.