Kvicha Kvaratskhelia kushton të paktën 150 milionë euro. Ky është çmimi që Napoli ka vendosur për sulmuesin mëngjarash. Përveç Victor Osimhen që thjesht po pret mbylljen e sezonit për të kompletuar transferimin në një tjetër klub, e me shumë mundësi tek Chelsea në Premier League, gjasat janë që edhe Kvara të ndajë rrugët me 3 herë kampionët e Italisë.
Shanset për largimin e Kvaratskhelias nuk i ka mohuar vetë agjenti i lojtarit, i cili ka thënë, që nëse në klub vjen ndonjë ofertë e mirë, atëherë skenari mund të ndryshojë dhe gjeorgjani mund të shitet. Kontrata e mëngjarashit me Napolin është e vlefshme edhe për tre vite të tjera, kurse vlera e tij në merkato konsiderohet 80 milionë euro.
Megjithatë, ndonëse klubi jugor i Italisë e konsideron anësorin e sulmit mjaft thelbësor për ekipin, rreth të cilit parashikohet të ndërtohet skuadra e sezonit të ri, një ofertë e majme, prej të paktën 150 milionë eurosh, mund të përmbysë çdo plan, sepse do t’i jepte mundësinë Napolit për të mbushur arkën e kursimeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë ekonominë e klubit.
Në sezonin aktkual, Napoli përjetoi një rrugëtim të vështirë, duke dalë thusje përtej çdo parashikimi. Patjetër që një gjë e tillë ndikoi edhe në paraqitjen e Kvaratskhelias, i cili, gjithësesi, ka kontribuar gjithashtu në një total prej 20 golash, me 11 finalizime dhe 9 asistime në 43 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticioniet.
Merkatoja e verës po afron, kështu që shumë shpejt do të mësojmë më tepër detaje rreth të ardhmes së Kvicha Kvaratskhelia.