Napoli sqaron situatën mbi Hysaj, Rrahmani kryen vizitat

Sport

Nga largimi i mundshëm, tani flitet për rinovimin e Elseid Hysajt me Napolit. Vetë agjenti i tij, Mario Giuffredi e ka konfirmuar këtë, por duke pranuar se gjithcka është një lëvizje stategjike, për një të ardhme më të mirë për mbrojtësin e kombëtares shqiptare. Edhe pse dukej se lëvizja e tij shumë pranë gjatë merkatos së janarit, afrimi i Gattusos duket se ka ndryshuar gjithçka.
“Jemi në bisedime, por Hysaj pas një viti do të jetë një futbollist i lirë. E di që Gattuso e mbështet shumë. Madje në takimet që ka bërë shpesh me lojtarin ka thënë se të gjesh një futbollist 25 vjeç, aq të fortë dhe me eksperiencën e Hysajt, nuk është e thjeshtë. Po bisedojmë së pari për rinovimin e tij, më pas do të jetë radha për Mario Rui dhe Di Lorencon. Por do të thoja se është budallallëk ta humbasësh me kosto zero. Parakushti për të, është që të rinovojë, por më pas të shitet me një kosto të leverdisshme për të gjithë. Te Napoli po vuajnë sepse projekti ishte që të merrnin Di Lorenzon për të larguar Hysajn. Por kjo nuk ndodhi…”, deklaroi Giuffredi, për “Radio Punto Nuovo”.
Hysaj është aktivizuar si titullar në ndeshjet e fundit pas ardhjes së Gattusos, duke luajtur në krahun e djathtë. Dhe paraqitjet e shkodranit deri më tani kanë qenë shumë bindëse.
Ndërkohë, Napoli ka bërë zyrtar afrimin e një tjetër lojtari me prejardhje shqiptare, si Amir Rrahmani. Kapiteni i Kosovës (27 ndeshje, 5 gola), i shoqëruar nga agjenti i tij Adrian Aliaj, kreu vizitat mjekësore të premten, pas marrëveshjes së arritur mes Napolit e Veronës për 14 milionë euro. Ndonëse mbrojtësi 25-vjecar do të bëhet plotësisht kosovari i parë i historisë së Napolit vetëm duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Ai do të firmosë për 5 vjet me napoletanët dhe do të përiftojë 1.8 milionë euro në sezon. Ndërsa do të bëhet lojtari i dytë më i shtrenjtë kosovar, pas Milot Rashicës. Rrahmani ka qenë një nga më të aktivizuarit gjatë këtij kampionati nga trajneri i Veronës Juric, duke luajtur titullar në 18 nga 19 ndeshje në total.