Një mbrojtës i kompletuar! Ky është përkufizimi që i është bërë profilit të Amir Rrahmanit, nga ana e Cristiano Giuntolit, drejtorit sportiv të Napolit. Gjatë një deklarate të bërë për “Sky Sport Italia”, drejtusi napoletan ka folur edhe për një nga blerjet tashmë zyrtare, por që do të bëhet konkrete vetëm gjatë merkatos së verës. “E morëm Rrahmanin, pasi është shumë i zoti në mbulim. Gjithashtu mund të luajë në shumë pozicione, gjë që është thelbësore. Por është tepër i mirë, edhe kur bëhet fjalë për të impostuar lojën dhe për të inicuar sulmin nga prapavija. Synimi ynë ka qenë të vendosim në dispozicion të trajnerit Gattuso lojtarë funksionalë, për idetë që ai ka sa i takon futbollit: Dhe me Rrahmanin kemi përmbushur një prej kërkesave të tij”, shpjegoi Giuntoli.
Një marrëveshje e vlefshme 14 milionë euro u arrit në janar për 26-vjeçarin që ka mbetur te Verona si lojtar i huazuar, deri në fund të edicionit aktual. Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, deri tani është paraqitur me shumë sukses te Verona. Kësaj skuadre iu bashkua verën e kaluar nga Dinamo e Zagrebit, por shpejt sigurojë kalimin në një skuadër më të madhe italiane siç është Napoli.