Napoli rinovon kontratën me mesfushorin Stanislav Lobotka, deri në vitin 2027, me mundësi rinovimi edhe për një tjetër vit. Konfirmimin e ka dhënë vetë klubi në kanalin zyrtar. Sllovaku, pjesë e të kaltërve që nga vera e 2020-tës, përgjatë kësaj kohe është kthyer në njaë prej lojtarëve më të rëndësishëm të kryesuesve të Serie A.
28 vjeçari është shprehur shumë i lumtur për zgjatjen e marrëveshjes me Napolin dhe ka thënë se do japë gjithmonë më të mirën nga vetja për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë ekipit në fushën e lojës.
Kontributi i Lobotkas ka qenë thelbësor tek Napoli që prej kohës kur ai është bërë pjesë e organikës së kaltër. Regjisori i mesfushës në “Diego Armando Maradona” ka luajtur 100 ndeshje në të gjitha kompeticionet, teksa rrugën e rrjetës e ka gjetur vetëm në dy raste, ndërsa po ashtu ka kontribuar edhe me një assist.
Me këtë lëvizje, Napoli është duke treguar se po e përgatit skuadrën edhe për një kohë afatgjatë. Ndonëse duhen ende edhe disa javë që të konfirmohet zyrtarisht, nuk ka asnjë dyshim që Napoli do të jetë skuadra kampione e Serie A për këtë edicion futbollistik. Fakti që ata udhëheqin me 18 pikë diferencë nga vendi i dytë, është një tregues se titulli është drejtuar në stadiumin “Diego Armando Maradona”.
Mirëpo, drejtuesit nuk duan të ndalen vetëm me kaq. Rinovimi i Lobotkas është një shenjë se Napoli po përgatitet që ta dominojë futbollin italian për vitet e ardhshme. Në vijimësi, pritet të rinovojnë edhe Khvicha Kvaratskhelia, së bashku me Victor Osimhen.