Napoli në telashe. Ndaj presidentit të klubit, Aurelio De Laurentis ka nisur një hetim për mashtrim financiar. Sipas mediave italiane, rasti lidhet me verën e 2020-tës, teksa në atë herë, klubi bleu shërbimet e sulmuesit Victor Osimhen për shifrën e 85 milionë eurove.
Në mënyrë që nigeriani të zbarkonte në “Diego Armando Maradona”, Napoli largoi 4 lojtarë nga skuadra, për shifrën e vetëm 20 milionë eurove, teksa supozohet se pagat e këtyre të fundit, janë mbivlerësuar, për të siguruar sa më tepër të ardhura.
Fjala është për ish-portierin e dytë të skuadrës së Napolit, Orestis Karnezis dhe 3 lojtarë të akademisë, të cilët u transferuan si një shkëmbim pikërisht në klubin e Lille.
Nisur nga një ngjarje e tillë, Prokuroria e Romës ka nisur hetimet se në këtë “operacion” mund të ekzistojë një dokumentacion i rremë.
Nga kjo situatë, kanë reaguar jo pak edhe tifozët e Lazios, të cilët me komentet e tyre në platformat sociale, kanë shkruar se nëse Napoli humb betejën me drejtësinë, atëherë titulli kampion i fituar një sezon më parë, duhet t’i kalojë Lazios, duke qenë se klubi kryeqytetas e mbylli edicionin në vendin e dytë.
Rikthejmë në memorie se në një rrethanë të tillë ngjarjesh u dënua edhe Juventusi në edicionin që lamë pas. Në përballjen me akuzat për mashtrim financiar, Zonja e Vjetër e humbi betejën me drejtësinë, e si pasojë u dënua me zbritjen e 10 pikëve nga tabela e klasifikimit dhe u përjashtua për një vit nga kompeticionet europiane.