Katër fitore, dy barazime dhe dy humbje në vetëm 8 javë të luajtura, janë statistika që nuk i shkojnë për shtat një skuadre kampione. Fjala është për Napolin, që ishte në tentativë për të korrur fitoren e 3-të radhazi në Serie A, mirëpo në “Stadio Diego Armando Maradona” ka marrë një shuplakë nga Fiorentina, duke u mposhtur me rezultatin 3-1.
Si pasojë, tensioni është rikthyer sërish në kampin e bardhekaltërve dhe puna e trajnerit Rudi Garcia po vëzhgohet në lupë. Ashtu sikurse kishte vepruar edhe në takimet e mëparshme, edhe këtë verë, tekniku francez, zëvendësoi lojtarin më të rrezikshëm të skuadrës, Victor Osimhen. Një gjë e tillë ndodhi në minutën e 77-të, në një moment kur Napoli ishte duke u mposhtur 2-1.
Mirëpo, minuta më herët, një incident ndodhi kur në të 57-tën, Politano nuk e priti aspak mirë ndërrimin. Mesfushori nuk i kurseu protestat ndaj Garcias, teksa nuk u përshëndet me shokët e tjerë që ndodheshin në stol.
Si për ta qetësuar disi atë që u pa në fushë, kapiteni Di Lorenzo, u shpreh në përfundim të ndeshjes, se lojtarët duhet t’i shmangim të tilla reagime, sepse nuk janë në të mirën e askujt, por vetëm e përkeqësojnë gjendjen e ekipit, sidomos kur rezultatet nuk po vijnë. Di Lorenzo ka thënë se për gjithçka do të flitet në dhomat e zhveshjes. Kështu, në 8 javë, Napoli regjistron 14 pikë nga 24 të mundshme. Në krahasim me një vit më parë, skuadra e Luçiano Spallettit, në 8 ndeshje, numëronte 20 pikë, 6 më tepër sesa aktualisht.
Drejtuesit e klubit, duke nisur nga presidenti Aurelio De Laurentis, besojnë se ky Napoli e ka aftësinë dhe potencialin për t’u kthyer në rrugën e fitoreve dhe të vazhdojë denjësisht garën në mbrojtje të titullit kampion. Megjithatë, është pak të thuhet që trajneri Rudi Garcia ndodhet nën presion. 59 vjeçari duhet të kthejë sa më parë gjithçka në normalitet, ose në të kundërt, vendi i tij në radhët e 3 herë kampionëve të Italisë është në rrezik.
Nga ana tjetër, për sezonin e deritanishëm që po zhvillon, Fiorentina meriton vetëm lëvdata. 17 pikë në 8 javët e para dhe vendi i 4 në tabelë, janë të dhëna që klubi vjollcë është duke i përjetuar vetëm për të 3-tën herë që nga edicioni 1994/95.