Të shumtë janë spekulimet, që thonë se në fund të sezonit do të largohet nga Napoli, ndoshta me destinacion Spanjën ose Anglinë megjithëse edhe Juventus ka shprehur interesim prej kohësh. Mirëpo duket se të gjithë këto lajme mbi Elseid Hysajn nuk shqetëson Napolin, që duket se po përgatit rinovimin me anësorin e djathtë edhe për 2 vite të tjerë. Shkodrani i kombëtares shqiptare ka një kontratë me klubin e presidentit De Laurentis deri në vitin 2021 ndërsa klauzola e largimit është rreth 50 milion euro, çka vlen për klubet jashtë Serie A.
Ja që drejtuesit napoletanë po mendojnë të “blindojnë” Hysajn, duke i rritur pagën që nga edicioni i ardhshëm, në 1.2 milionë euro deri në vitin 2023. Sigurisht, edhe klauzola e tij e largimit pritet të pësojë ndryshim, pasi shifra aktuale duket se është lehtësisht e përballueshme për gjigantët evropianë. Sidoqoftë, shumë do të varet edhe nga mënyra sesi do të shkojë ky sezon i Napolit, që kërkon të rrëmbejë atë titull kampion që në vitet e fundit është bërë monopol i Juventusit. Aktualisht, napoletanët janë dy pikë prapa bardhezinjve në renditje dhe shumë do të varet nga sfida direkte e 22 prillit që luhet në Torino.
Ndërkaq, Elseidi është kthyer prej disa ditësh në atdhe, për t’u përgatitur për miqësoren me Norvegjinë në “Elbasan Arena”. Shkodrani fillimisht ishte në vendlindjen e tij, e më pas është parë edhe këto ditë në qytetin e Durrësit, aty ku është grumbulluar Kombëtarja , duke shëtitur me makinën e tij superluksoze, një “Lamborghini” që kushton rreth 200 mijë euro.