Pas McTominay në verë, Napoli mund të transferojë një tjetër futbollist nga Manchester United përgjatë merkatos dimërore. Fjala është për Alejandro Garnachon. Argjentinasi shihet si lojtari, i cili do të plotësojë vendin e Kvicha Kvaratskehlia, me këtë të fundit, që është shumë pranë transferimit në radhët e PSG për rreth 80 milionë euro. Si pasojë, drejtuesit e klubit italian, kanë dalë në përfundimin se Garnacho është pikërisht lojtari i duhur që i duhet ekipit të Antonio Contes.
Argjentinasi ka spikatur në radhët e djajve të kuq përgjatë edicioneve të fundit, mirëpo, me ardhjen e Ruben Amorim në Old Trafrord, duket sikur situata ka ndryshuar disi. Tekniku portugez, nuk duket të jetë një tifoz i flaktë i Garnachos, kështu që ka nisur të kuptohet se anësori i sulmit është në plan të dytë në skemat e trajnerit Amorim.
Për Garnachon, Napoli ofron deri në 50 milionë euro dhe me transferimin e tij, shpreson që në Maradona, 20 vjeçari të kthehet në një prej më të mirëve të kampionatit italian, e gjithashtu edhe në Europë.
Nuk dihet nëse United do të pranojë ose jo, por plani i Napolit është i qartë. Tre herë kampionët e Italisë duan të rikthehen sërish në fron, e gjithashtu të nisin të lënë gjurmë edhe nëpër kompeticionet europiane.