Napoli ka gjetur zëvendësuesin e Victor Osimhen, nëse ky i fundit largohet në merkaton e verës. Me 28 gola të shënuar në 35 ndeshje të luajtura këtë sezon futbollistik, nigeriani ka bërë që klube me peshë të kontinentit të interesohet për të.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis e ka bërë të qartë; kush dëshiron shërbimet e Osimhen, duhet të derdhë në arkat e Napolit, plot 160 mln euro. Kërkesa duket e lartë, megjithatë, duke marrë parasysh milionat e shpenzuara në vitet e fundit nga klube të ndryshme, gjithçka mund të ndodhë.
Në një situatë si kjo, Napoli nuk kërkon të gjendet i papërgatitur, por është duke punuar në prapaskenë për pasuesin e Osimhen në Diego Armando Maradona dhe objektivi është gjetur. Referuar këtu informacioneve të publikuara në mediat ndërkombëtare, kampionët e Italisë kanë piketuar kanadezin, Jonathan David.
Që prej verës së 2020-tës, sulmuesi në fjalë aktivizohet në Francë me klubin e Lille, por duhet theksuar se këtë sezon forma e tij është e një tjetër niveli. 23 gola të shënuar në 36 ndeshje mes kupës dhe kampionatit, janë mjaftueshëm për të rënë në gjurmët e klubeve të mëdha. Këtë sezon, David vendosi edhe një rekord në Ligue 1, duke u bërë lojtari i parë nga Amerika e Veriut që shënon të paktën 20 gola në kampionatin francez. Këto të dhëna, nuk mund të kalonin pa u vënë re as nga Napoli.
Klubi jugor i Italisë është gati të nisë operacionin. Në rast shitje të Osimhen, atëherë Napoli do të trokasë me një ofertë në dyert e Lille. Për momentin, kartoni i Jonathan David në tregun e merkatos, cilësohet 60 mln euro.
Interesante në këtë mes është fakti se edhe shërbimet e Osimhen, Napoli i siguroi pikërisht nga Lille, në Shtatorin e 2020-tës, atëherë kur pagoi rreth 80 mln euro në arkat e klubit francez.